Lajme

Kaq raste me tuberkuloz u shënuan në Kosovë gjatë vitit 2018

Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 25 March 2019

​Vetëm gjatë vitit 2018, janë identifikuar mbi 700 raste me sëmundjen e tuberkulozit. Grupmoshat më të prekura nga kjo sëmundje janë nga 15 deri në 40 vjeç.

E kryeqyteti, del të jetë komuna me numrin më të madh të rasteve me tuberkuloz.  Kështu u tha të hënën, në konferencën me moton “ Është koha, fund tuberkulozit”, e cila është organizuar nga Programi Kombëtar kundër Tuberkulozit, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Majlinda Gjocaj, koordinatore e Forumit për Kontrollin e Tuberkulozit, tha se kjo sëmundje, është numër një, sa i përket vdekshmërisë. Vetëm gjatë vitit 2018, ajo tha se në Kosovë janë regjistruar mbi 700 raste me këtë sëmundje.

-Advertisement-

“ 707 raste gjithsej, që për mua  është ulje e rasteve, me incidencë prej 33 përqind në 100 mijë banorë. Tuberkulozi në institucionet korrektuese zero, tuberkulozi dhe HIV një bashkëekzistencë, e cila është problematike në regjionin evropian dhe jo vetëm zero, tuberkulozi në fëmijë rreth 1,9 përqind, mortaliteti nga tuberkulozi lidhur me tuberkulozin 1,24 përqind nga 100 mijë mijë banorë dhe çka është e mira për vitin 2018 është terapia e siguruar për të gjithë pacientët. Grupmoshat nga 15 deri në 44 vjeçare përbëjnë nga 45 për qind të të gjitha rasteve.Kryeson Prishtina dhe numri më i paktë mbetet në Gjakovë”, tha ajo.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik Naser Ramadani thotë se në Kosovë është shënuar ulje e rasteve me këtë sëmundje, mirëpo sipas tij, kjo vazhdon të jetë sëmundja më infektive vdekjeprurëse në mbarë botën.

“ Kosova është dukshëm më ulët në shkallën e vdekshmërisë, diku prej 2 deri në 3 përqind dhe ne po vazhdojmë akoma ta ulim deri në shkallën zero. Tuberkulozi më shumë i prek të rriturit, në rritjen e tyre më produktive, megjithatë të gjitha grupmoshat  janë të rrezikuara, pra në ndalim dhe në parandalim ne nuk bëjmë asnjë dallim. Personat e infektuar me HIV kanë 20 deri në 20 përqind mundësi të infektohen me tuberkuloz dhe ky rrezik është më i madh për personat që kanë imunitet të kompromituar. Duke pasur parasysh këtë situatën epidemiologjike në Kosovë e kemi shumë më të qetë, se kur kemi filluar me aktivitetet intenzive, menjëherë pas luftës dhe programeve të fondit global për luftë kundër tuberkulozit”, tha Ramadani.

Përfaqësuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë  në Kosovë, Gazmend Zhuri, tha se kjo sëmundje vazhdon të jetë sfidë  e rajonit evropian. Ai ka numëruar objektivat e OBSH-së për vitin 2020 kundër tuberkulozit.

“Rreth 290 mijë njerëz u sëmuren  dhe rreth 26 mijë njerëz humbën jetën, për shkak të tuberkulozit. Kryesisht në Evropën Qendrore dhe në Evropën Lindore.  Plani i veprimit  për tuberkulozin  për rajonin evropian  të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2016-2020 ka caktuar qëllimin për ndërprerjen e përhapjes së tuberkulozit dhe tuberkulozit multirezistent, duke arritur qasje universale në parandalim, diagnozë dhe trajtim në të gjitha vendet e rajonit. Objektivat për vitin 2020 të OBSH-së janë : reduktimi i vdekjeve nga tuberkulozi, ulje prej 25 për qind e rasteve të reja të tuberkulozit dhe suksesi i trajtimit në 75 për qind në mesin e pacientëve me TB”,  tha Zhuri.

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë edhe çmime për storie më të mira që për temë kanë pasur tuberkulozin.

Gazetarja Arbenita Murmallaku nga Radio Kosova, ka fituar çmimin e parë, e cila këtë storie kishte shkruar për përvojën e saj personale me këtë sëmundje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera