Lajme

Kaq aksidente ndodhin çdo vit në hekurudhat e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 20:24 | 22 February 2019

Vetëm këtë fillim vit janë regjistruar katër aksidente hekurudhore.

Një këmbësor ka pësuar lëndime të rënda pas u godit nga treni dje në linjën hekurudhore Pejë – Prishtinë respektivisht në segmentin që kalon përreth kazermës “Adem Jashari”.

20-vjeçari i goditur nga treni mbrëmë është operuar në emergjencë nga ekipi i neurokirurgëve kujdestar, ndërsa pas operacionit është transferuar në mjekimin intensiv qendror, kështu bëri të ditur zyra për Informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

-Advertisement-

Sipas dëshmitarëve aksidenti dyshohet të ketë ndodhur derisa i riu kishte zbritur nga një veturë dhe po tentonte ta kalonte linjën hekurudhore. Përderisa po hetohen shkaqet e këtij aksidenti, ajo që dihet është se rastet e aksidenteve në hekurudhat e Kosovës janë shpeshtuar.

Për çdo vit ndodhin rreth 30 aksidente trafiku në hekurudhat e Kosovës. Vetëm në këtë fillim vit kanë ndodhur 4 aksidente ndërmjet veturave dhe trenave.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në vitin 2017 janë shkaktuar 27 aksidente ndërmjet veturave dhe trenave ku humbën jetën 2 persona, njëri prej viktimave ishte këmbësor, ndërsa në vitin e kaluar kanë ndodhur 31 aksidente, një aksident rezultoi me fatalitet ku vdiqën 3 persona.

Si shkaktari më i shpesht i aksidenteve në hekurudha sipas policisë është pakujdesia.

“Në këto raste të ndodhura gjatë kësaj periudhe kohore ka rezultuar si shkaktarë i aksidenteve pakujdesia e shoferëve të automjeteve dhe pakujdesia e këmbësoreve”, thuhet një përgjigje elektronike për portalin rtv21.tv nga Policia e Kosovës.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndryshe, fillimi i shtrirjes së rrjetit hekurudhor nëpër Kosovë ka filluar në vitin 1874, ku u ndërtua linja e parë hekurudhore në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera