Lajme

Kanosi me sëpatë një person, i akuzuari nuk paraqitet në gjykatë

Autori: Gazeta inFokus 12:06 | 21 December 2021

Mungesa e të akuzuarit për veprën penale “Kanosje”, Xh.S, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Ai po akuzohet se në shkurt të 2018-ës, në fshatin Smallushë të Lipjanit, e kishe kanosur me sëpatë seriozisht të dëmtuarin B.S, raporton “Betimi për Drejtësi.

Gjykatësi Selman Salihu për të akuzuarin ka thënë se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo sipas tij, mungesën nuk ka arsyetuar dhe as nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës.

-Advertisement-

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance e njëjta u shty, ndërsa e radhës u caktua më 3 shkurt 2022.

Ndaj të akuzuarit, gjykata do të lëshon urdhëresë për sjellje në gjykatë përmes policisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 2 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.S, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 185, paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri , më 28 shkurt 2018, në fshatin Smallushë të Komunës së Lipjanit, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin B.S, me mjet të rrezikshëm-sëpatë, duke shkaktuar frikë për jetë dhe ankth tek i dëmtuari.

Në aktakuzë thuhet se pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i njëjti i kishte dalë të dëmtuarit në rrugë derisa ai po shkonte në shtëpinë e tij dhe duke e mbajtur sëpatën në krah iu kishte drejtuar me fjalët “çka keni fol ju të dy në polici për rastin që e kemi pas, kam me ju hjekë njërin nga ju”, duke aluduar në të dëmtuarin apo në ndonjërin prej vëllezërve të të dëmtuarit, derisa ndërhyn kushëriri i tyre dhe e largon të pandehurin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera