Lajme

Kandidati i LDK-së “flet” me Ibrahim Rugovën, sulmon ashpër të gjithë liderët

Autori: Gazeta inFokus 17:44 | 21 January 2020

Anëtari i LDK-së, Hazir Borovci vite më parë ishte bërë shumë viral pasi doli duke treguar një bisedë imagjinare me Presidentin e njderë të Kosovës Ibrahim Rugovën.

E thuajse njëjtë si Borovci tash ka bërë kandidati i LDK-së për deputet, Adem Salihaj, shkruan gazeta inFokus.

Ky përmes një statusi ka shkruar për gjendjen aktuale politike, pas përfundimit të kryesisë së LDK-së, ku u mor vendim të mos hiqet dorë nga oferta e tyre karshi Vetëvendosjes.

-Advertisement-

Salihaj, shprehet shumë i dëshpëruar me të gjithë liderët tjerë, teksa shkruan një letër që duket se i dedikohet Ibrahim Rugovës, shkruan gazeta inFokus.

Këtu në bisedën e imagjinuar me Rugovën, Salihaj i tregon atij se në çfarë gjendje është Kosova dhe se po të ishte ai me siguri kjo nuk do të ishte kështu.

“I dashur president, e di që tash do të më pyesësh se çka do të bëjmë tash, përse nuk gjejmë zgjidhje, ku janë intelektualët dhe politikanët vizionarë, ku janë patriotët që i dalin zot vendit. Unë nuk po mund të të përgjigjem në këtë pyetje. Pyetje vështirë. Ti, besoj, se do të gjeje zgjidhje, sepse gjeje zgjidhje edhe atëherë kur ishte tepër vështirë. Por, ne as afër s’e kemi që ta gjejmë zgjidhjen!

Një zot e di çka do të bëhet. Vetëm shpresoj se nuk do të shkatërrohemi plotësisht si shtet dhe si popull. E ndoshta një ditë del nje vizionar patriot dhe intelektual dhe e drejton këtë Kosovë”, ka shkruar Salihaj.

Ky është pjesa tjetër e “bisedës” së Salihajt me Rugovën.

“I dashur president Rugova

Kaluan 14 vite nga largimi yt nga kjo botë. Sa ishe gjallë, ti drejtove anijen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nëpër dallgë të tërbuara, në mes shkëmbinjëve, nën shkrepjen e rrufeve e bubullimave, në një ambient të egër, kur i kanosej shfarosja totale popullit tonë në Kosovë. Askush nuk e pati guximin, vendosmërinë dhe këthjelltësinë tënde, askush nuk e pati vizionin dhe strategjinë e arritjes së qëllimit tonë, të ëndërruar me shekuj. Popullin shqiptar të Kosovës, prej një populli të pashpresë, prej një populli të pakrah e të martirizuar, e ktheve në një popull të fuqishëm, unik, të pathyeshëm e fitimtar. Bota u mahnit me atë që krijove me popullin e Kosovës. Tërë simpatinë e botës e ktheve kah ne. Me gjithë injorimin e madh që kishte Kosova dhe shqiptarët nga fuqitë e mëdha vendimmarrëse dhe nga bota perëndimore, ti e shndërrove këtë injorim dhe antipati në përkrahje dhe simpati. Ti ishe ai që krijove unitet për interesin e Kosovës, edhe me ata që të fyen, shanë dhe sulmuan me mënyrat dhe mjetet më të ulëta”, ka shkruar Salihaj.

Madje në statusin e gjatë, Salihaj i shpjegon situatën aktuale politike Ibrahim Rugovës duke thënë që do të habiteshe po të shihte se në çfarë gjendje e kanë sjellur liderët politik Kosovën, shkruan gazeta inFokus.

President Rugova, ti do të habiteshe pa masë sot, po ta shihje në çfarë gjendje e sollën Kosovën partitë politikë dhe të ashtuquajturit liderë. Kur ishe ti gjallë, edhepse partia që udhëhiqje ti kishte e vetme 47 deputetë, ti krijoje unitet dhe e ndaje pushtetin edhe me parti të vogla, për ta çuar Kosovën përpara drejt zhvillimit ekonomik e kulturor, drejt integrimit në BE, NATO dhe mekanizma tjerë ndërkombetarë, duke e forcuar pandërprerë miqësinë e përhershme me mikun dhe përkrahësin tonë më të madh-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, këta të vetëquajtur liderë, e kanë zhvlerësuar gjithë atë që krijove ti, duke e shndërruar Kosovën në objekt plaçke, e cila mund të tradhëtohet e shitet pa asnjë hezitim. Çdo gjë mund të plaqkitet, vidhet e shitet. Edhe paratë, edhe nderi , edhe toka. Republikës së Kosovës, të cilën e krijove ti, ia kanë humbur nderin dhe e shnderojnë çdo ditë.

Gati dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe njëzet vjet pas çlirimit, partitë dhe liderët e tyre nuk janë në gjendje t’i krijojnë institucionet e Kosovës, të cilat ti arrite t’i krijoje edhe nën okupimin e rëndë serb.

Po të ngriheshe sot nga varri, nuk do t’u besoje syve të tu. Ata që ta nxinë dhe ta shkatërruan jetën ty , sot po ia nxijnë dhe shkatërrojnë jetën Kosovës dhe popullit të saj. Ky popull, nga i cili ti krijove mrekulli, sot është plotësisht i rraskapitur, i hutuar dhe çorientuar, ka mbetur jetim dhe nuk di kah t’ia mbajë. I ka humbur shpresat, i mungon vizionari dhe nuk ka forcë të ngritet dhe t’i shporrë këta njerëz që nuk kanë as fe, as komb, as nder, as lavdi.

I dashur president, nuk mund të them se jam i lumtur me shtetin tonë. Mund të them se jam i zhgënjyer. Asnjëherë nuk mendova se jemi një popull kaq injorant dhe i vendosim llumin dhe fundërrinat në krye të shtetit.

Ti do të mendoje se të rinjtë dhe të rejat janë krenar me shtetin tonë, të cilin e krijuam me kaq shumë sakrifica. Jo. Përkundrazi, të rinjtë dhe të rejat mundohen të ikin sa më parë nga ky shtet dhe të mos e kthejnë më kurrë kokën prapa. Kosova po zbrazet, po ikin të gjithë ata që po mund të ikin. Kjo kastë e flliqur ua neveriti shtetin, jo vetëm të rinjëve, por të gjithëve. Ua humbi krenarinë kombëtare dhe njerëzore, ua humbi moralin dhe dëshirën për të jetuar këtu”, ka shkruar Salihaj./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera