Lajme

Kancelari Sholz disa vende të BE’së i quan “egoiste”, u thotë një gjë ka marrë fund

Autori: Gazeta inFokus 21:34 | 17 July 2022

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund t’i lejojë më shtetet anëtare të kenë të drejtën e vetos mbi veprimet e bllokut, nëse ai dëshiron të mbajë një rol udhëheqës në përcaktimin e politikës globale.

Scholz tha në një artikull të botuar më 17 korrik nga gazeta Frankfurter Allgemeine se lufta e Rusisë në Ukrainë e bëri unitetin evropian më urgjent dhe ngriti nevojën për t’i dhënë fund “bllokadave egoiste” të vendimeve evropiane nga shtetet individuale.

“Ne thjesht nuk mund të përballojmë më veto kombëtare, për shembull në politikën e jashtme, nëse duam të vazhdojmë të dëgjohemi në një botë të fuqive të mëdha konkurruese,” shtoi ai, raporton REL, transmeton Express.

-Advertisement-

“Përçarja e përhershme, mospajtimi i përhershëm midis shteteve anëtare na dobëson,” paralajmëroi Scholz.

“Kjo është arsyeja pse përgjigja më e rëndësishme e Evropës ndaj ndryshimit të kohërave është: Uniteti. Ne absolutisht duhet ta ruajmë atë dhe duhet ta thellojmë.”

Vendimet politike brenda Bashkimit Evropian duhet të miratohen unanimisht nga të 27 anëtarët.

Scholz është përballur me kritika nga Kievi, aleatët perëndimorë dhe disa figura kombëtare që pretendojnë se Gjermania nuk ka marrë një pozicion udhëheqës politik në lidhje me luftën në Ukrainë, pohime që Scholz i ka mohuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera