Lajme

Kampi “Belvedere” merr zyrtarisht emrin “Enver Zymeri”, Kurti e zbuloi pllakën bashkë me djalin e heroit

Autori: Gazeta inFokus 20:09 | 26 July 2023

Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës nga sot e ka marrë emrin e heroit Enver Zymeri, policit të rënë në detyrë më 26 korrik të vitit 2011, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pllakën e zbuloi kryeministri Albin Kurti bashkë me të birin e Enver Zymerit, Sokol Zymerin dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxhën.

Para se të bëhet zbulimi i pllakë, Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, ministrat Sveçla dhe Haxhiu, dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me të birin e Enver Zymerit, Sokol Zymeri, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta edhe te vendi i rënies së tij.

-Advertisement-

Duke përkujtuar 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare, Kurti tha se ata u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta.

“E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Enveri i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës dhe është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë”, tha Kurti.

Kurti u tha familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës se sakrifica e bijve të tyre, është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës.

“Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës”, tha kryeministri.

  

  

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera