Lajme

Kamenicasi në hall me turbinat e erës, ministria e mohon se kompania turke ka leje për to

Autori: Gazeta inFokus 23:44 | 10 January 2023

Projekti i cili u reklamua në vitin 2018 nga Komuna e Kamenicës si investimi më i madh i energjisë në Kosovë, e që do të prodhonte afro 96 milion KW në vit po del të jetë problem esencial për jetën e banorëve aty.

Këto 9 turbina kanë ardhë si invenstim i kompanisë turke “Turqia GURIS Holding” për Kosovën.

Nga nëntë turbinat me erë të vendosura në fshatin Kitkë të Kamenicës, dy prej tyre, turbina e pestë dhe e gjashtë, janë vetëm 192 metra larg nga kulmi i shtëpisë së Xhemajl Kqikut.

-Advertisement-

Kjo distancë dëshmohet edhe nga matja e gjeodetit të autorizuar nga familja.

Kqiku, i cili ka folur për Kiks Kosovën ka thënë se vendosja e këtyre dy turbinave janë bërë pa pëlqimin dhe lejen e tij.

Gjatë dimrit, Kqiku është përballur edhe me dëmtime të makinës së tij. Ai përmes fotografive ka treguar se makina i është dëmtuar tri herë nga copat e aktullit që bien nga krahu i turbinës së pestë, e cila në rastet e erërave më të forta lëviz me shpejtësi më të madhe.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Kamenicës, Uran Berisha, në një përgjigje për Kiks Kosovës, ka thënë se lejet ndërtimore për vendosjen e turbinave i lëshon Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ndonëse në ceremoninë e përurimit të këtij projekti në vitin 2018 ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, përfaqësuesit e kompanisë turke GURIS, e cila ka kryer punimet e këtij projekti, zëvendëskryeministri i atëhershëm Enver Hoxhaj, ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç, atë kohë ministri i MMPH-së Fatmir Matoshi dhe shumë zyrtarë të tjerë, sot Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thotë se kompania nuk kishte leje mjedisore për turbinat e vendosura në Velegllavë.

Përderisa institucionet hedhin fajin nga njëra palë të tjera, Xhemajl Kqiku akuzon puntorët e Kitka, degë e kompanisë turke Guris në Kosovë, se bëjnë edhe hedhjen e ujërave të zeza në pronën e tij.

Përfaqësuesit e kësaj dege të kompanisë turke në Kamenicë, edhe pas shumë insistimeve të Kiksit, kanë refuzuar të përgjigjen lidhur me vendosjen e këtyre turbinave dhe problemeve që ato po shkaktojnë.

Kujtojmë që në ceremoninë e përurimit të këtij projekti, inxhinieri i kompanisë GURIS, Idris Yamanturk tha se mburren me çdo hap që kanë bërë deri në përfundimin e këtij investimi.

Se a zënë vend akuzat për shkaktimin e dëmve, Arben Gjukaj, inxhiner i Elektroenergjetikës dhe Profesor në Fakultetin Teknik ka thënë  për Kiksin se para se të instalohen turbinat me erë për prodhim të energjisë, duhet të bëhen studime teknike duke përfshirë edhe ndikimet në mjedis.

Në njoftimin zytar të komunës së Kamenicës, nënvizohet se centrali i energjisë me erë ka filluar prodhimin nga data 11 tetor e vitit 2018.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet

Të tjera