Lajme

Kalaveshi: Intensiteti i viruseve në Kosovë, mesatar — vaksina ka boll

Autori: Gazeta inFokus 19:50 | 10 January 2020

Doktoresha e Departamentit të Epidemiologjisë në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ariana Kalaveshi, ka folur për përmasat e gripit në Kosovë. Ajo tha se nëse matet intensiteti i viruseve, në Kosovë është mesatar.

Ditë më parë Instituti i Shëndetit Publik tha se s’ka eskalim të përmasave të gripit.

Sipas Kalaveshit rastet deri tash kanë shkuar në 16.558, të ngjashme me gripin, ndërsa me akute rreth 2900 raste

-Advertisement-

Sipas saj, deri tash janë raportuar sëmundje si gripi e edhe të ngjashme, që janë infeksione tjera si respiratorë e edhe viruse.

Kalaveshi tha se simptomat më të shpeshta janë temperaturat e plogështia. Ndër tjera, edhe kokëdhembje, jashtëqitje e të vjella.

“Prej të gjitha rasteve, 7 raste janë të konfirmuara me grip. Tipi A është tek 3 raste”, tha ajo në KTV.

“Tipi A është pak më i rëndë”, shtoi tutje.

Sipas Kalaveshit, duhen masa epidemike që thotë se janë të njëjta sikur tek gripi i tipit A e si tek tipi B.

“Tipi A mundet me qenë më agresiv mirëpo, edhe te tipi B, mund të paraqiten komplikime. Komplikime mund të shfaqen fillimisht në dhimbje e frymëmarrje”, shtoi tutje.

Me grip, sipas saj, atakohen të gjitha grupmoshat.

Kalaveshi, tutje tha se edhe mungesa e të reshurave mund të ndikojë tek gripi.

“Tek ne ndikon edhe takimi në grupe të mbyllura. Ta zëmë, në lokale të vogla ku edhe pihet duhani. Në ambiente të mbyllura, të ndryshme, ku ka më shumë njerëz”, tha ajo, duke shtuar se gripi në ambiente të hapura vjen më vështirë.

Ajo ka theksuar se si pasojë e gripit nuk është shënuar asnjë vdekje në Kosovë.

Sa i përket vaksinave, tha Kalaveshi, janë shpërndarë në bazë të numrit të popullatës.

“Sivjet kemi 10 mijë doza të vaksinave”, tha ajo.

Ka komentuar rastin që një pacient ka blerë vaksinë në QKMF, duke pasur mungesë në spitale. Por ajo tha se vaksina ka mjaftueshëm.

“Ka mundësi të ketë pasur mungesë, por vaksina ka mjaftueshëm, kur ka mungesë dhe raportohet, menjëherë shkojnë për t’i marrë të tjerat”, tha ajo.

Kalaveshi tha se vitin e kaluar ka pasur forma më të rënda të virusit se këtë vit.

Masat për t’u mbrojtur nga gripi, sipas saj, së pari duhet që personi i sëmurë duhet qëndruar në shtëpi. Nëse personi është në gjendje më të rëndë bëhet izolimi spitalor, e nëse më i lehtë, izolimi shtëpiak.

Higjiena personale, tha ajo, është masë tjetër shumë e rëndësishme.

“Pastrimi i duarve është i nevojshëm. Duhet patjetër të ketë edhe aktivitete fizike”, përfundoi ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera