Opinione

Kah po shkon Kosova

Autori: Gazeta inFokus 10:04 | 24 May 2021

DISTRIKTI AUTONOM I KOSOVËS VERIORE alias REPUBLIKA SERBSKA.

(Huajtur: komentim i përmbajtjes së dokumentit “non paper” franko-gjerman, AP)

Publikohet dokumenti apo letra joformale “non-paper”, që pritet të diskutohet në takimin e parë të tradhtisë së madhe nëse do të ndodhë, Kurti-Vuçiq në Qershor, në takimin e Parisit.

Kosova po lëvizë nga Deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 dhe njohjeve ndërkombëtare të SHBA +, dhe konfirmuar e drejta në pavarësi nga GJND, drejt “non paper” franko-gjerman.

-Advertisement-

Ky dokument jo formal apo jo zyrtar, po e kthen Kosovën në fazën e procesit politik kur na u ofrua “Pakoja e Ahtisarit”.

Kjo pako që konsiderohet si konstituuese e themeleve juridike-kushtetuese të shtetit të Kosovës, u bë objektiv sulmi i luftës politike të lëvizjes Kurti për vetëvendosje.
Kjo “Pako kushtetuese” u provua të goditej me alternativen “Ahtisari plus”, që promovohej edhe si politikë e Beogradit, por tani po ofrohet në versionin më të rrezikshëm për integritetin e shtetit, sovranitetin politik, karakterin unitar dhe rendin kushtetues. Pra, si një “non paper” me autorësi të Gjermanisë së “pushtuar” ekonomikisht nga Rusia dhe Franca e ndjeshme ndaj Serbisë hatërmadhe.

Pako Ahtisari, e parashikonte si të mundshme, nëse politika kosovare e lejonte, krijimin e asociacionit të komunave me popullsi homogjene, si kategori kushtetuese. Por, gjithherë duke kaluar ratifikimin parlamentar dhe harmonizimin kushtetues.

Kjo marrëveshje që pritet të dalë nga dokumenti jo formal franko-gjerman, po e sfidon Pakon Ahtisari dhe bazën e rendit kushtetues të Kosovës si shtet unitar, me një format që de facto e de jure po krijohet Republika serbska në veri dhe me ingirenca politike, juridike dhe të sigurisë në të gjitha lokacionet e objekteve fetare ortodokse.
Me ketë lëvizje jo parimore dhe ndesh me objektivat nacionale të shqiptarëve të ideuara ndër dekada dhe sakrificës që u bë për to, po jetësohet “propozimi i Sllobodan Millosheviçit, i cili ofronte më shumë se autonomi dhe më pak se republikë”. Faktikisht kjo po ndodh në një dimension më perfid dhe po formatizohet “Republika serbska alias Distrikti autonom i Kosovës veriore”.

Pra, kuptimi i slloganit “normalizim i raporteve” me ketë letër jo zyrtare, apo “non-paper” ofron iniciativën Gjermano-Franceze për krijimin e një Autonomie të zgjeruar dhe me institucione të vetat për serbët e Kosovës e kolonët tjerë në veri të vendit që përkufizohet me emërtimin administrativ “Distriktit Autonom të Kosovës Veriore” dhe konsiderohet njësi e veçantë administrative territoriale e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që e ka të drejtën të ketë legjislacion, ekonominë rajonale, financat, pronat, infrastrukturën, kulturën, edukimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, drejtësinë, shërbimet, banimin, zhvillimin urban dhe bashkëpunimin evropian në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin e qeverisjes lokale.

Këtë formulim intrigues duhet parë në kontekst të Kushtetutës së Kosovës e cila e lejon krijimin e Asociacionit të nënshkruar edhe me 2013 por nuk mund ta ndalë pavarësimin në një afat prej tetë vitesh. Në këtë format siç e ofron non paper franko – gjerman, krijohet me automatizëm si njësi administrative e pavarur.
Tani kjo nismë serbe, ka një mundësi të arrihet edhe jashtë standardeve të kushtetutës së Kosovës, nga marrëveshja që pritet të diskutohet në takimin e Parisit.
Në kuadër të këtij të ashtuquajturi “Distrikti Autonom i Kosovës Veriore” do të përfshihen territore të katër qyteteve/komunave si Mitrovica veriore, Leposaviqi, Zyberpatoku, dhe Zveçani me170 fshatra të zonës, përkatësisht të qytetit të Zveçanit dhe 35 fshatrat e tij, Leposaviqin dhe 72 fshatrat e tij, Mitrovicën Veriore dhe zonat e afërme kadastrale dhe Zubin Potokun e 63 fshatrat përreth”.

Distrikt Autonom alias “Republika serbska” në aspektin e udhëheqjes siç shkruhet në përmbajtje “do ta ketë guvernatorin që përfaqëson Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që përfaqëson popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë një organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.
Në fakt këto organe në analogji janë Presidenti/guvernatori përkatësia e të cilit kuptohet. Kuvendi/asambleja, përbërja e të cilit janë përfaqësuesit e banorëve të komunitetit në këto vendbanime të spastruara, etnikisht serbe.

Ky dokument përcakton edhe statusin e kishave ortodokse. Ato nuk konsiderohen trashëgimi e Kosovës, as futën nën mbrojtjen ligjore e institucionale vendore por konsiderohen trashëgimi serbe. Më tej ky dokument jo formal saktëson në mënyrë deçizive se Kisha dhe organizimi i saj i brendshëm duhet të njihej si “subjekte vetëqeverisëse” të sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, se “pronësia duhet të jetë e paprekshme”, dhe duhet të gëzoi “status të privilegjuar”. Këtu përfshihen më shumë se 40 kisha dhe objekte kulturore, si pjesë esenciale e Kishës Ortodokse Serbe, që në përputhje me ndryshimet kushtetuese, duhet të udhëhiqen nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, i cili duhet të ketë selinë në Patriarkanën e Pejës.

Krejt kjo na orinton kah pyetja se çfarë merr Kosova nga kjo marrëveshje?!

Pritje logjike do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës si shtet dhe normalizimi i raporteve me të gjitha kushtet e trumbetuara nga qeveria aktuale dhe Krye qeveritari Kurti ndërlidhur me njohjen si, kërkim faljen, dëmshpërblimet e luftës, padinë për gjenocid e krime lufte dhe pranimin nga Serbia etj. Por, sipas “non paper” mbi të cilat arrihet kjo marrëveshje, të gjitha këto kanë si kundër shpërblim “mos-kundërshtimin” e Serbisë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare.
Pika tjera të këtij dokumenti joformal ishin edhe krijimi i një zonave ekonomike si nxitje e zhvillimit ekonomik në të dyja vendet, ideuar sipas praktikave evropiane për zonat e lira ekonomike, ku mendohet të shtrihen në rajonin e Mitrovicës dhe atë të Novi Pazarit.

Kusht tjetër interesant i kësaj marrëveshjeje që do duhej nënkuptuar është se asnjëra nga të dy shtetet “nuk mund ta përfaqësojë shtetin tjetër në arenën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të shtetit tjetër”, duke na krijuar dilemën nëse po flasim për shtet të pavarur!?

Nënshkrimi i këtij dokumenti duhet të nënkuptoj edhe imponimin e ndryshimit të kushtetutave të të dyja shteteve dhe më pas njohje reciproke pas ri-rregullimeve kushtetuese e territoriale, meqë Serbia e ka Kosovën në preambulën e saj. Po ashtu do duhet që Kosova të inicioi abrogimin e Rezolutës së KS/OKB dhe zëvendësimin e saj me aktin e pranimit të Kosovës në OKB.

Themelimi i Misione të Përhershme diplomatike, që do të trajtohen në përputhje me Konventën e Vjenës për Raporte Diplomatike”, saktëson dokumenti.

Se Serbia do të jetë nëpër këmbët e pushtetit shtetëror të Kosovës përmes kësaj marrëveshje në mënyrë penguese gjatë gjithë ekzistencës së përbashkët fqinjësore, tregon edhe institucioni që parasheh që të dyja palët do të themelojnë “Këshillin e Miqësisë së Ndërsjellë” që do t’i mbledh qeveritë e të dyja vendeve çdo vit që të sigurojë “implementimin e marrëveshjeve” ligjërisht të detyrueshme, të promovojnë bashkëpunim bilateral në fushat e interesit të përbashkët, si dhe të zgjerojë perspektivën për integrime evropiane”.

Muaji Shtator, 2022 është koha kur do të raportoj Borell para Asamblesë së Përgjithshme në Kombet e Bashkuara, për arritjen e “madhe” që presupozon nënshkrimin e kësaj marrëveshje!?

Vetëm një Platformë që do të vërë kornizat jashtë të cilave nuk mund të dilet dhe që ruajnë pavarësinë, integritetin territorial, sovranitetin politik dhe karakterin unitar kushtetues të Republikës së Kosovës, duhet ta parandaloj të keqën e madhe që po i sillet të ardhmes së vendit tonë.

Nëse këto pretendime nuk ndalen me politika institucionale dhe rrugë kushtetuese, atëherë duhet të vihen në veprim dalzotësit e këtij vendi ashtu siç bënë në vitet e luftës për liri e çlirimi nga okupimi serbo sllav i kohës së Milloshevicit.

Përndryshe, shtrohet dilema fyese nëse ja ka vlejtur lufta dhe sakrifica që u bë me dekada e me theks lufta e UÇK e viteve 1998/99. Si do të justifikohet humbja e jetëve të njerëzve të të gjitha moshave rreth 15 mijë qytetarë të vrarë, prej tyre 1300 fëmijë, dëshmorët, invalidët, të zhdukurit, mbi 20 mijë femra të dhunuara edhe të mitura, afro 60%e infrastrukturës e shkatërruar, institucione të zhbëra, vjedhja e trashëgimisë kulturore, artefakteve, librave kadastral, librave të gjendjes civile e shumë dëme tjera që vështirë kompensohen. Numri i të zhdukurve e të pa gjeturve që ende kërkohen, e shumë peripeci tjera nëpër të cilat kaloj populli shqiptarë i Kosovës.
Për zgjidhje të tilla, që nuk janë në unison me pritjet dhe sakrificën tonë, ka ofruar edhe regjimi i Millosheviçit në vitet 1995/96. Për tu kthyer në ato zgjidhje millosheviçiane përse u desh të kalohet nëpër këto sakrifica? Përse u desh të bëhej lufta?!

A vërtetë ka mbete ky vend pa Zot? A vërtetë ka mbetur të abuzohet nga shpirtshitur që po abuzojnë me lirinë. A vërtetë nuk ka kush e mbanë amanetin e dëshmorëve të lirisë. A vërtetë do të lejohet të abuzohet me lirinë dhe vendin tonë në emër të votës qytetarë. Po, edhe Milooshevçi dhe argatët e tij i fitonin votat në Kosovë dhe na sundonin e abuzonin në emër të asaj vote.

Por, liria nuk e ka këtë kuptim. Sepse çdo gjë i ka rrënjët në tokë, përveç lirisë që i ka në gjak. E ky gjak dhe amaneti që mbartë nuk duhet lejuar të shkelet. Këtu besoj të reflektoj shqiptarisht edhe z. Kurti!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera