Lajme

Kadrijaj: Qeveria mos të pengojë tregtinë me pakicë

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 26 June 2018

Në Kosovë bizneset e vogla kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar.

Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe e duhanit tremujorin e parë të këtij viti është rritur për 44 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo vlen për tërë territorin e Kosovës dhe përfshinë sektorin e tregtisë me pakicë thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

-Advertisement-

Mirëpo njohësi i ekonomisë Mustafë Kadrijaj potencoi se Qeveria nuk duhet ta pengojë aktivitetin e tregtisë me pakicë duke marrë parasysh se nuk po e ndihmon aspak.

Përveç kësaj ekziston një rrezik që paraja e fituar nga tregu me pakicë del jashtë Kosovës ka thënë Kadrijaj për Gazetën Fokus.

“Mendoj që Qeveria e tanishme me këtë performancë të dobët nga ana ekonomike nuk pritet që të marrin hapa radikal për një ndryshim pozitiv ekonomik por uroj që kjo qeveri së paku mos të pengoj aktivitetin ekonomik në këtë rast edhe aktivitetin e tregtisë me pakicë”.

Pra qeveria e tanishme duhet të jetë në përkrahje të çdo aktiviteti ekonomik që i sjell përfitime ekonomisë së Kosovës duke ulur papunësinë, duke ngritur mirëqenien dhe duke treguar rritje ekonomike.

Kadrijaj shtoi se duke e marrë parasysh situatën e tanishme që qeveritë nuk kanë një strategji që Kosova të bëhet një vend ku mund të tregtohet me shumicë ose pakicë dhe si rezultat i kufizimit njerëzit mundohen që së paku të depërtojnë në treg përmes tregtisë me pakicë.

“Çdo hap ekonomik që sjell profit duhet të përshëndetet dhe të përkrahet por meqë ne nuk e kemi prodhimin e zhvilluar dhe ende jemi vend importues tregtia e ka efektin e qarkullimit ekonomik dhe sado pak njerëzit e punësojnë vetveten por rreziku është që paraja del jashtë Kosovës”.

Ndryshe, në raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet që rritje të tregtisë ka pasur edhe në disa lloje të tjera si tregtia me pakicë e karburantit për automjete 20.3%, tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit 14.4%.

Të gjitha ndërmarrjet që kanë deklaruar njërin nga tatimet gjatë viteve referuese për vitet paraprake janë konsideruar aktive./Gazeta Fokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera