Fokus

Kadri Veseli nuk i kursen paratë e shtetit, për tre muaj shpenzoi gati 8 mijë euro për dreka zyrtare

Autori: Sylejman Sylejmani 16:19 | 13 August 2019

Tavolinat plotë me ushqime e pije ka dëshirë ti ketë para vetes kryetari i Kuvendit të Kosovës që drejton edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Drekat e darkat e Kadri Veselit po i kushtojnë buxhetit të Kosovës goxha shumë.

Plot 7 mijë e 765 euro i ka harxhuar ai në dreka zyrtare vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019.

-Advertisement-

Janari është muaji në të cilin Veseli harxhoi më së shumti para për dreka, shkruan Gazeta inFokus.

Në muajin e parë të vitit, vetëm për drekat e kryetarit shkuan plot 4 mijë e 830 euro.

Më e shtrenjta ishte ajo në byfenë e Kuvendit, Shqiponja, ku për një drekë u harxhuan 1 mijë e 231 euro.

E shtrenjtë ishte edhe dreka tjetër e shtruar në restaurant, Gagi Cafe.

Plot 507 euro e 30 cent u harxhuan vetëm në datën 25 janar.

Raporti zyrtar i shpenzimeve të Kuvendit për tre mujorin e parë të vitit, nxjerr në pah të gjitha shpenzimet për dreka të cilat i bëri kryetari i saj.

Ndryshe nga janari, në shkurt ranë shpenzimet për dreka zyrtare.

Përgjatë atij muaji, Veseli harxhoi 1 mijë e 756 euro dhe dreka me çmimin më të lartë ishte ajo e shtruar në Hib Petrol, e cila kushtoi 489 euro e 20 cent.

Edhe në muajin mars kishte rënie të shpenzimeve për dreka zyrtare.

Në muajin e tretë të vitit u shpenzuan 1 mijë e 178 euro.

Dreka më e shtrenjtë u shtrua sërish në Hib Petrol dhe kushtoi 290 euro e 50 cent.

Gazeta inFokus do të publikojë edhe shpenzimet e Veselit për udhëtime zyrtare, si dhe të deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës. /Gazeta inFokus

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera