Lajme

Kadri Veseli në përkujtimin e Reçakut sulmon BE-në

Autori: Gazeta inFokus 10:09 | 15 January 2020

21 vite më parë në Reçak ndodhi një masakër që bota normale dhe e civilizuar nuk do ta mendonte asnjëherë që njeriu mund të arrij deri në atë pikë.

Forcat serbe të udhëhequra nga kasapi i ballkanit, Slobodan Milosevic, pa asnjë faj, nuk kurseu pleq, fëmijë e gra, shkruan gazeta inFokus.

E tash pas më shumë se dy dekadave kjo ngjarje është ende e freskët në kujtimet e jo veç atyre që e përjetuan e që humbën familjarët e tyre, por e të gjithë popullit shqiptar.

-Advertisement-

Në përkujtim të kësaj ngjarje, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, e atë kohë udhëheqës i UÇK-së, po thotë që veç kësaj masakre ditëve në vijim do të kujtohet edhe shumë të tilla, shkruan gazeta inFokus.

“Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut, një nga masakrat më të rënda të shtetit serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Ditëve tjera të vitit, njësoj do t’i përkujtojmë me dhimbje plagët tona kombëtare në Prekaz, Studime, Obri, Mejë, Verbovc e anekënd Kosovës, si pasojë e krimeve tjera masive, që ishin pjesë e projektit të shtetit serb për të shfarosur popullin shqiptar”, ka thënë Veseli.

Por, Veseli, kritika të ashpra ka për Bashkimin Evropian, që po e akuzon për tolerancë të këtyre krimeve, madje edhe për pretendimet e disave prej zyrtarëve evropianë që Kosova duhet të pranoj në heshtje mosvënien e drejtësisë, shkruan gazeta inFokus.

“Por, sot përjetojmë edhe një lëndim që vjen si pasojë e tolerancës së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për përgjegjësinë historike që ka për krimet makabre. BE, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndëshkuar kriminelët e luftës, por sot po tregohet indiferente edhe ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë, për të mohuar përgjegjësinë mbi krimet e kryera ndaj qytetarëve tanë”.

“Ka zyrtarë evropianë që mendojnë se Kosova duhet të pranojë në heshtje pandëshkueshmërinë dhe mosvënien e drejtësisë për autorët e masakrave të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999, si çmim për lirinë. Por, janë duke gabuar rëndë, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë”.

“Liria është një e drejtë që i takon natyrshëm kombit tonë dhe që i është mohuar për një kohë tejet të gjatë. Kjo është arsyeja që populli shqiptar nisi luftën çlirimtare në Kosovë. Rruga drejt lirisë së privuar e popullit tonë ka qenë e gjatë, e mundimshme dhe e mbushur me sakrifica”.

Kësisoj Veseli bën thirrje që jo veç deklarata por edhe të bëhen veprime konkrete ndaj shtetit i cili i kreu këto masakra e krime të tmerrshme.

“Deklaratat politike shterpe që jepen nga zyrtarë evropianë janë të pavlera, përderisa nuk kanë ndonjë efekt presioni ndaj Serbisë dhe nuk shoqërohen me veprime konkrete për ta shtrënguar lidershipin e Serbisë që të heqë dorë nga mohimi i përgjegjësisë shtetërore për krimet e kryera dhe për ta kushtëzuar që të ndërmarrë ndëshkimin e autorëve të krimeve makabre sikurse ishte Reçaku. Themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për ndëshkimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Përndryshe, çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkan në kurriz të drejtësisë dhe të vërtetës mund të konsiderohet thjesht një utopi”, ka thënë Veseli./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera