Lajme

Juncker: Ballkani, drejt një lufte të re pa perspektivën e anëtarësimit

Autori: Gazeta inFokus 10:03 | 06 October 2018

Shefi i Komisionit të Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi një ditë më parë mbi mundësinë e një lufte të re në Ballkan, nëse Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja nuk ndiejnë se BE-ja është serioze në ofrimin e perspektivës për anëtarësim ndaj tyre.

Nëse në peizazhin tejet të komplikuar të Europës krijohet përshtypja se ne nuk jemi seriozë në ofrimin e perspektivës së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë, e ndoshta edhe më shpejt nga sa parashikohet, atë që kemi parë të ndodhë në Ballkan në vitet ’90”, deklaroi Juncker gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin austriak.
Gjashtë shtetet e Ballkanit, të cilat gjatë viteve ’90 krijuan fushëbetejën e konflikteve më të përgjakshme të Europës që prej Luftës së Dytë Botërore, që çoi deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, tashmë gjenden në faza të ndryshme të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërsa negociatat për anëtarësim kanë nisur zyrtarisht me Serbinë dhe Malin e Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë ende në pritje të çeljes së tyre dhe klasifikohen si “vende kandidate”. Bosnja dhe Kosova, nga ana tjetër, janë listuar për momentin si “kandidatë potencialë”.

-Advertisement-

Juncker e kishte përmendur edhe dhjetorin e vitit të kaluar faktin se, zgjerimi me vendet e Ballkanit ishte jetik për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon, ndaj shprehej se priste që Serbia dhe Mali i Zi t’i bashkoheshin bllokut deri në vitin 2025. Sidoqoftë, rruga e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE ishte “ende shumë e gjatë”, do të kujdesej të theksonte Juncker.

E ndërkohë që disa vende kanë shënuar progres, “ky progres – sipas tij, – ende nuk është i mjaftueshëm”. Ai sugjeroi se BE-ja duhet t’iu ofrojë këtyre shteteve një lloj “zone ekonomike, ku ato të mund të sillen pjesërisht si të ishin vende anëtare të bllokut”.
Por, Jucker përsëriti sërish faktin se ai nuk sheh ende asnjë prej tyre gati për të arritur anëtarësimin e plotë “përpara vitit 2025, e madje edhe atëherë nuk ka për të qenë diçka e shpejtë”. Sipas tij, BE-ja duhet “të kujdeset për Ballkanin Perëndimor intensivisht dhe të ndihmojë ku të jetë e nevojshme”.

Juncker theksoi se, blloku “duhet të sigurohet që të jetë e kuptueshme për këdo, se konfliktet territoriale mes shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhen përpara se të ofrohet, apo të merret anëtarësimi”. Mes çështjeve më të nxehta në këtë aspekt është statusi i Kosovës, e cila deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por që Beogradi refuzon ende ta njohë.

Juncker ndodhej në Vjenë për të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Austrisë. Ish-kryeministri i Luksemburgut e nisi mandatin e tij si shef i Komisionit Europian, duke njoftuar se nuk do të kishte asnjë zgjerim të mëtejshëm të bllokut nën drejtimin e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera