Lajme

Josep Borrell: Edhe para luftës në Ukrainë pati ringritje tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 23:20 | 20 March 2022

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian është deklaruar sërish më gjerësisht lidhur me vizitën që pati në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Borrell vuri në theks të veçantë dënimin e pushtimit rus të Ukrainës, nga ana e udhëheqësve të shteteve të cilat ai vizitoi javën që po lëmë pas.

”Udhëheqësit e tyre ishin të qartë në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe të tre vendet i janë bashkuar sanksioneve tona kundër Rusisë. Ne jemi të bashkuar në përpjekjet tona për të ndalur luftën dhe për të ndihmuar popullin ukrainas. Theksova me vendosmëri angazhimin e BE-së për të mbështetur edhe më shumë Ballkanin Perëndimor dhe për të çuar përpara të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian”, tha Borrell.

-Advertisement-

Ndër të tjerash në këtë deklaratë, Borrell pranoi se lufta në Ukrainë ka sjellur kujtime të gjalla të luftërave rreth shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet ’90-2000.

Ai poashtu përmend ringjalljen shqetësuese të tensioneve midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, që sipas tij kishte ndodhur edhe para konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

“Një ringjallje shqetësuese e tensioneve në rajon. Por edhe para luftës në Ukrainë, pati një ringritje shqetësuese të tensioneve në rajon, veçanërisht brenda Bosnjë-Hercegovinës dhe midis Serbisë dhe Kosovës.Ne kemi parë ndërhyrje nga jashtë që synojnë të destabilizojnë fqinjët tanë dhe të dobësojnë Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes fushatave tinëzare dhe të mirë-dokumentuara të dezinformimit të Rusisë”, deklaroi Borrell.

”Vështirësitë e pandemisë COVID-19 në të gjithë Evropën janë shfrytëzuar, por këto fushata janë rritur më tej ndjeshëm që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Frika nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve si rezultat i luftës në Ukrainë është gjithashtu shumë e fortë në Ballkanin Perëndimor, vende që janë shumë më të varfra se ato në BE”, shtoi ai.

Josep Borrell tha poashtu se se kjo çështje u shfaq qartë në diskutimet e tij me autoritetet dhe shoqërinë civile në këto vizita që realizoi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera