Lajme

Java vendimtare për krijimin e institucioneve

Autori: Gazeta inFokus 08:37 | 03 September 2017

Bilall Sherifi, deputet i Nismës, tha se janë në përgatite finale të sigurimit të votave për ta votuar kryeparlamentarin dhe pastaj mandatarin për kryeministër. Sherifi nuk ka dashur të flasë rreth mundësisë që partia e Behgjet Pacollit t’i bashkohet PAN-it, me arsyetimin se ky subjekt politik duhet të vendosë vetë se si të veprojë.

Ndërkohë, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ditë më parë ka paralajmëruar se deputetet e LAA nuk do të marrin pjesë në seancën e radhës deri në sqarimin e situatës se si do të zgjidhet kryetari e më pas shefi i qeverisë.

Por të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që deputetët e LDK-së të mos marrin pjesë në vazhdimin e seancës. Madje ia ka kërkuar që sa më shpejt të themelohen institucionet e reja.

-Advertisement-

Sipas Veliut, qëndrimi i LDK-së mbetet i njëjtë, se nuk do ta votojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit e që është Kadri Veseli.

Ndërkaq, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i ka kritikuar për papjekuri dhe mungesë guximi liderët politikë dhe deputetët, të cilët po e zvarrisin konstituimin e Kuvendit. Të pandershme, Daci e ka quajtur kërkesën e Vetëvendosjes që koalicioni PAN ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me një kandidat tjetër nga ky koalicion.

Përveç një takimi që ka pasur ndërmjet LDK dhe VV-së për një bashkëqeverisje të mundshme, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka akuzuar rëndë zyrtar të kësaj lëvizjeje se kanë ardhur në pushtet me dhunë duke i bërë përgjegjës për të gjitha sulmet që i janë bërë atij dhe familjes së tij.

Sipas analistit Artan Muhaxhiri, këto akuza të Mustafës drejtuar VV-së e pamundësojnë bashkimin e tyre për ta formuar Qeverinë. Muhaxhiri nuk e sheh si opsion të mundshëm as shkuarjen në zgjedhje, pasi që thotë se akuzat e rënda të kryeministrit në detyrë Isa Mustafa ndaj VV-së, në një mënyrë i hapin rrugë edhe PAN-it që ta kërkojë një aleancë me AKR-në për të krijuar një Qeveri të re.

Por një bashkim të LDK me VV nuk po e përjashton analisti tjetër Ramush Tahiri. Sipas tij, pavarësisht akuzave të Mustafës ndaj VV-së, LDK-në dhe Vetëvendosjen i bashkon platforma kundër PDK-së. Ai madje ka shtuar se një qeverisje LDK-VV ka përparësi pasi që në këtë mënyrë arrihet shumica shqiptare në Kuvendin e Kosovës./RTK/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera