Lajme

Java e ardhshme vendimtare për uljen deri 20 për qind të pagave të punëtorëve në Telekom

Autori: Gazeta inFokus 21:06 | 11 January 2020

Punëtorët e Telekomit të Kosovës në fundvit, nëpërmjet e-mailit, u njoftuan se pagat e tyre nga ky muaj do t’i marrin me ulje për 10 deri në 20 për qind.

Në njoftim thuhej se bazuar në gjendjen financiare, Bordi i drejtorëve ka miratuar rregullore të re për caktimin e koeficientit të pagave.

Ulja e pagave, sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje publike, do të zgjaste vetëm deri në përmirësimin e situatës, raporton KTV.

-Advertisement-

Por, me këtë vendim nuk po pajtohet sindikata e punëtorëve të Telekomit, e cila pas takimit që kanë pasur me bordin të mërkurën, beson se ky vendim nuk do të zbatohet.

Balaj thotë se përderisa Ligji për paga është pezulluar deri në fund të marsit dhe nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, nuk mund të ketë ndryshime të pagave për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, të dyja palët gjatë takimit tejet të gjatë që kanë pasur me Bordin, janë pajtuar në parim që së pari të bëhet një ristrukturim, harmonizim dhe nivelizim i gradave.

Nga kjo sindikatë presin që ditëve në vijmë bordi t’i shqyrtojë kërkesat e sindikatës që vendimi të pezullohet deri në vendimin e Kushtetueses.

Nëse ndodh e kundërta dhe punëtorët rrogat e radhës i marrin me ulje, atëherë sindikalistët nuk e përjashtojnë mundësinë e marrjes së masave sindikale.

Ndërsa Besa Shatri – Berisha, kryesuese e Bordit të drejtorëve ka thënë se në mbledhjen e radhës të këtij bordi, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme, do të vendoset përfundimisht nëse do të procedohet me rregulloren për ulje të koeficientit të pagave apo do ta marrin parasysh kërkesën e sindikatës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera