Fokus

Jastëkët, zbulimi i fundit i Ministrisë së Inovacionit

Autori: Doresa Geci 16:54 | 11 July 2019

“Nina Nona”, është ky produkti më i ri për të cilin Ministria e Inovacionit, e udhëhequr deri para pak kohësh nga Besim Beqaj, ka ndarë hiç më pak se 10 mijë euro.

Bëhet fjalë për prodhimin e jastëkëve medicinal të butë që përshtatet lehtë në trupin e njeriut, që lehtëson dhimbjet e shpinës dhe mundëson gjumë të rehatshëm, shkruan Gazeta inFokus.

Bashkë me të dhe idenë e prodhimit të disa foteleve relaksuese, këtë grant nga Ministria e Inovacionit e ka fituar vjeshtën e vitit të kaluar, salloni për mbjellje të thonjve, qerpikëve dhe depilim “London Queen Nails”, nga Gjakova.

-Advertisement-

Këto dy produkte, sipas pronares së këtij biznesi, Valmira Rrahmani, që veprimtari primare ka shërbimet estetike, janë krijuar për nevojat të nënave shtatzëna dhe fëmijëve të tyre.

“Këtë grant e kemi përfituar për prodhimin e “Nina Nonave” jastëkëve për problem medicionale si të shpinës ose problem për gjumë, pra janë produkte për eliminime e këtyre problemeve dhe gjithashtu kemi prodhuar edhe disa fotele që janë shumë komode dhe relaksuese”, ka thënë Rrahmani  për Gazetën inFokus.

Por, në bazë të cilave kritere i është ndarë ky grant këtij biznesi nuk dihet, pasi Ministria e Inovacionit vazhdon të mos jap përgjigje në pyetjet e Gazetës inFokus që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve për përkrahjen e bizneseve nga Fondi për Inovacion.

Siç është raportuar deri më tani, nga ky fond i destinuar për Start Up biznese dhe e ide inovative, përfitues kanë qenë disa prej të cilave nuk kanë të bëjnë aspak me inovacionin.

Lexo edhe: Ministria e Besim Beqajt financoi edhe një rrobaqepëse

Gazeta inFokus ka gjetur se në listën e  përfituesve janë edhe sallonet e ondulimit e rrobaqepësitë.

Të enjten inFokus ka raportuar se ky dikaster qeveritar gjatë kohës sa Besim Beqaj ishte në krye të tij, ka dhënë mbi 9000 euro për një rrobaqepëse në Fushë Kosovë.

Gjithashtu Gazeta inFokus pati raportuar se një grant i tillë i është ndarë edhe një salloni për rregullimin e flokëve e fytyrës.

Edhe raporti i auditorit ka gjetur se me ndarjen e këtyre subvencioneve janë bërë shkeljet më të mëdha në këtë ministri.

Sipas auditroti të përgjithshëm , nga mbi 4 milionë euro sa kishte në dispozicion ministria që u krijua në mandatin e Qeverisë Haradinaj, me idenë që të përkrahen idetë inovative, të hapen vende të reja të punës dhe që Kosova të jetë në hap me vendet tjera të botës në këtë fushë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave kanë shkuar për biznese aspak inovative./Gazeta inFokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera