Lajme

Jakup Krasniqi publikon një letër që kishte pasur në plan t’ia dërgonte Haradinajt si Kryeministër: Flet fjalë të rënda për Shefin e AAK’së

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 11 July 2020

Jakup Krasniqi publikon një letër që kishte pasur në plan t’ia dërgonte Haradinajt si Kryeministër, flet fjalë të rënda për Shefin e AAK-së

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi i ka dërguar një letër të hapur kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj pas daljes së deputetit të Nismës Haxhi Shala në AAK.

Krasniqi ka thënë se këtë letër e kishte shkruar në vitin 2018 kur Haradinaj ishte kryeministër, por që të njëjtën nuk e kishte publikuar me kërkesën e kryetarit Fatmir Limaj.

-Advertisement-

Krasniqi po ashtu thotë se tani ndihet i obliguar ta publikojë letrën pas zhvillimeve të fundit politike.

Ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tutje ka thënë se veprimi i Ramush Haradinajt me rastin e kalimit të Haxhi Shalës në AAK nuk është veprim i shqiptarit tradicional.

Haxhi Shala ditë më parë ka thënë se Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e kanë uzurpuar Nismën Socialdemokrate, pjesë e të cilës ishte deri vonë.

Letra e plotë e Jakup Krasniqit:

Letra është shkruar në pjesën e parë të vitit 2018. Ngjarjet që shtjellohen në te e konfirmojnë këtë. Pasi ishim në koalicion, nuk e publikova me kërkesën e dy drejtuesve të NISMËS Socialdemokrate (Kryetarit e Sekretarit të Përgjithshëm). Veprimet e tua, të kusarimit edhe në politikë, me detyruan që ta botoj pa konsultuar njeri. Me vije shumë keq, madje shumë keq, që këtë nuk e botova në kohën e duhur, por më mirë vonë se kurrë!

Zhvillimet e fundit politike me detyruan që ta bej publike tani. Veprimi yt. Nuk është veprim i shqiptarit tradicional!

LETËR E HAPËT KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS – RAMUSH HARADINAJT

Nga Jakup Krasniqi

Zoti Kryeministër,

E njoh dhe e respektoj kontributin tuaj dhe të familjes Haradinaj për lirinë e pavarësinë e Republikës se Kosovës. E vlerësoj gjithçka që keni bërë për Kosovën dhe keni bërë goxha shumë si familje. Edhe Kosova nuk ju ka dhënë pak gjatë këtyre viteve, mbase keni marrë shumë edhe pa u dhënë ajo. Tani Kosova e kërkon një vendim tuajin të shpejtë. Vendimin për t’i dhënë një zgjidhjet të shpejtë vendit e kombit tonë. Mos u merr me Erdoganin e jashtëm! Edhe ai problemet i ka brenda shtetit të tij.

Kosova që sa vite është ne një krizë politike dhe institucionale, por kriza është thelluar nga përpjekja tinëzare e 20/21 dhjetorit 2017, për të zhbërë GJS, të bërë me vullnet për të pastruar UÇK-në?! Kriza vazhdoj edhe në vitin e ri 2018, e sidomos pas rastit Gjuriq i cili pa asnjë procedurë ligjore u largua nga vendi me veturat e policisë. Pa mbaruar mirë ai rast u përsërit një skandal edhe më i madh. Sipas të gjitha gjasave, rasti i parë në të parë shumë patriotik, i cili qenka bërë për t’u mbuluar skandali më i madh shtetëror me qytetarët turq, të cilët pa asnjë procedurë ligjore ju dorëzuan një pushteti me elemente të shumta pasigurie për jetët e tyre. Duhet ta dish se jeta e atyre njerëzve që janë kidnapuar e pastaj dëbuar është në rrezik dhe kjo është ditur paraprakisht, cilido që të ketë dhënë urdhër për një veprim anti kushtetues dhe tepër të dëmshëm për vendin dhe kombin, as ju nuk mund të amnistoheni lehtë. Disa gjera është dashur qe t’i kishe në mend! Pasi nuk ke hyrë ne një terren krejt të pa njohur e të pa provuar.

Unë po dua të besoj që ju nuk keni qenë në dijeni, por t’i je Kryeministër, e ke pushtetin më të fuqishëm ekzekutiv në vend dhe përgjegjësisë e ke, prandaj është shumë vështirë që t’i ikësh përgjegjësisë. Fuqinë ta garanton Kushtetuta. Unë jam njëri nga themeluesit e NISMËS Socialdemokrate. Partia ime ka qenë në koalicion me partinë tende para zgjedhjeve, ta kemi dhënë fjalën kur jemi dakorduar që të shkojmë në koalicion me PDK-në (në rrethana tepër urgjente), jemi në qeverisje dhe kjo na detyron moralisht që mos të kërkojmë mocion për mosbesim, por kështu nuk qeveriset vendi, kur tjetri t’i luan gurtë në lojën e shahut që duhet ta udhëheqësh ti. Ne një pozicion të tillë, lojën e shahut e ke te humbur, pasi ashtu po e dëshiron, urdhërdhënësi i AKI-së, i policisë dhe i RUSU-së. Ti e dinë mirë se nuk i drejton segmentet e përmendura edhe pse janë nën varësinë tuaj. Këtë pozitë që e ke në qeverisje nuk besoj që nuk e ke ditur. Opozita nuk i ka numrat për të të rrëzuar me mocion të mosbesimit. Je në atë gjendje, siç thuhet as në qiell e as në tokë. Vendi nuk guxon të mbetet ne një pozicion të tillë, rrugën e zgjedhjes e ke në duar. Zgjidhe! Ndihmoje zgjidhjen, sa më shpejtë aq më mirë.

Në një situatë të tillë kaotike nuk jam që të shkojmë në zgjedhje, pasi, sipas mendimit tim, ne një situatë të tillë, problemi nuk është te qeveria, por, problemi është te Kryetari i vendit i cili edhe po të mbaheshin zgjedhjet do të jetë aty ku është dhe pozita ceremoniale nuk i mjafton. Ai është duke e emituar Millosheviqin, pasi aty ku ishte ai ishte qendra e botës në Serbi e Federatën Jugosllave. Dhe vazhdimi i po kësaj situate edhe pas zgjedhjeve të mundshme, është krejtësisht i mundshëm, prandaj në ata segment (te sigurisë) duhet ndryshime të mëdha e të shpejta. Vendi ne një situatë të tillë duhet të eci ne një rrugë tjetër. Rrugë tjetër është qeveria teknike e përbërë nga të gjitha partitë parlamentare shqiptare. Një qeveri teknike një vjeçare e cila që në fillim duhet ta zvogëloj kabinetin qeveritar, në jo më shumë se 15 ministri e po aq zëvendësministra, duhet ta përgatitë një reformë zgjedhore që afron zgjedhje të drejta, të lira e demokratike, krijimi i një konsensusi nacional, reformimi i Sistemit të Drejtësisë dhe i AKI-së dhe pastaj shkuarjen në zgjedhje. Është koha që të gjitha partitë politike se bashku ta ndërprenë çdo formë të kusarisë në qeverisjen e vendit. Gjithashtu, partitë politike duhet të merren vesh që në diplomaci të vijnë vetëm njerëz që kanë dëshmi se e duan shtetin e tyre, të lirë, të pavarur, sovran e demokratik. Edhe në MJ e diplomaci kërkohet një reformë e thellë. Nëse vazhdohet gjatë me ketë logjikë të instaluar në institucionet e shtetit dhe në NP, falimentimi është në derë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera