Lajme

Jahja Kokaj milioner edhe pas ‘ndarjes’ me djalin, mbi 1 milion euro vetëm banesa, shtëpi e dyqan

Autori: Gazeta inFokus 16:41 | 14 June 2022

Kokaj milioner edhe pas ‘ndarjes’ me djalin, mbi 1 milion euro vetëm banesa, shtëpi e dyqan.

Deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokajn, e bëjnë milioner gjashtë pasuritë e paluajtshme që i ka në pronësi. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Kokaj ka shënuar dy banesa, dy shtëpi, një dyqan dhe një bibliotekë, që kushtojnë mbi 1 milion euro, raporton Gazeta Express.

Dy banesat e Kokajt kushtojnë 80 mijë, përkatësisht 85 mijë euro. Një shtëpi 160 metra katror e Kokajt vlerësohet 140 mijë euro, ndërsa një shtëpi me bibliotekë (480 metra katror), ka deklaruar se kushton 480 mijë euro.

-Advertisement-

Kokaj posedon edhe një dyqan prej 39 metrash katror të blerë në vitin 1992 dhe që vlerëson se kushton 380 mijë euro.

Nga paga e djalit, Kokaj ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej 2 mijë e 300 eurosh. Në fund, ka deklaruar se këtë veturë e shfrytëzon me autorizim të djalit të tij.

Kokaj i mban në bankë 8 mijë e 915 euro të gatshme, pa llogaritur 22 mijë e 618 eurot e regjistruara në bankë në emër të gruas së tij.

Pasurinë e paluajtshme, Kokaj ka deklaruar se e ka bërë prej punës së tij të mëhershme, ndërsa aktualisht deklaron të hyra vetëm nga pozita e tij si deputet. Nga Kuvendi, ai ka deklaruar se merr 25 mijë e 350 euro në vit.

Në fund, Kokaj ka deklaruar se para një viti e ka shkëputur “bashkësinë familjare me djalin”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera