Sport

Ja si luftojnë Reali dhe Barcelona për Neymar

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 23 August 2019

Jo vetëm një aksion për të shqetësuar rivalët e Barcelonës. Reali i Madridit e ka seriozisht për Nejmarin dhe sipas “L’Equipe”, presidenti Florentino Perez u ka bërë një ofertë të çmendur kampionëve të Francës: Garet Bejlin, Hames Rodrigezin, Kejlor Navasin dhe 100 milionë euro.

Por transalpinët e kanë refuzuar. Presidenti i tyre, Al-Khelaifi kërkon të rifitojë 222 milionë eurot e shpenzuara kur e transferoi nga Barcelona në vitin 2017 dhe nuk lëshon asnjë milimetër.

Reali bëri një ofertë jo të vogël, që duke llogaritur edhe vlerën e kartonëve të tre lojtarëve që ofronte në paketë, arrinte në këtë shifër, por PSG ka këmbëngulur gjithnjë se preferon më shumë para kesh, sesa lojtarë.

-Advertisement-

Në këtë mënyrë, Zidan do të çlirohej edhe nga dy emrat që ka kërkuar të shesë gjatë gjithë verës, Bejl dhe Rodrigez, pavarësisht se gjatë javës së fundit i ka tërhequr ata nga lista e zezë dhe i konsideron pjesë të planeve të tij këtë sezon.

Në të vërtetë, tekniku francez po punon me lojtarët në fjalë. Situata do të ishte krejt e ndryshme nëse madrilenët do të arrinin të prishnin murin që ka ndërtuar Leonardo, duke i surprizuar rivalët historikë të Barcelonës.

Reali, që deri tani kishte pritur në prapaskenë zhvillimet mes Barcelonës dhe Nejmarit, e priste një refuzim të parë të kampionëve të Francës dhe vazhdon të ushqejë shpresa se në Kullën Eifel, dëshira është ajo për të mos e shitur brazilianin te katalanasit (raportet mes dy klubeve nuk janë më të mira që prej largimit të “O Ney”-t dy vite më parë, duke i paguar klauzolën).

Nga ana tjetër, PSG refuzoi pak ditë më parë edhe tentativën e fundit të Barcelonës (huazim për 20 milionë euro me të drejtë blerjeje në verën e 2020-ës për 150 milionë euro), ndërsa në garë mbetet edhe Juventusi, që po luan me kartën e Dibalës dhe 100 milionë eurove.

Gjithsesi, Reali nuk dorëzohet dhe “Marca” raporton se gjatë këtyre orëve, Perez vazhdon t’i ketë menaxherët e vet në Paris ku vijojnë bisedimet për të formuluar një tjetër ofertë. Gazetari spanjoll, Guijem Balague, raporton se përveç portierit Kejlor Navas, të cilin trajneri Tuhel e do në Paris, Reali do të ofrojë edhe kartonin e sulmuesit Luka Joviç dhe një tjetër lojtari që ai nuk e identifikon me emër.

E gjithë kjo situatë e ka shqetësuar Barcelonën, e cila luan me kartën e dëshirës së lojtarit për t’u rikthyer në “Camp Nou”. Por nëse Reali tenton kaq fort, ky as nën mëngë mund të mos jetë më i vlefshëm edhe për shumë kohë. Sipas katalanases “Sport”, Barça i ka kërkuar Nejmarit që të dalë hapur dhe të shprehet publikisht se ai dëshiron vetëm një rikthim te kampionët e Spanjës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera