Lajme

Ja sa miliona euro u shpenzuan për zgjedhjet në Kosovë gjatë vitit 2017

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 04 January 2018

Mbi 10 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës organizimi i dy palë zgjedhjeve brenda një vit, ku për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës janë shpenzuar 4 milionë euro.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se kostoja e zgjedhjeve lokale ka qenë më e lartë sesa për zgjedhjet parlamentare për shkak të balotazhit.

“Në bazë të raportit kostoja e përgjithshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2017 në total ka qenë 4 milion euro. Ndërsa, lidhur me koston e zgjedhjeve lokale të vitit 2017 akoma nuk është përmbyllur hartimi i raportit për të ditur koston e përgjithshme të këtyre zgjedhjeve. Për këto zgjedhje në ligjin për buxhetin e vitit 2017, pra për zgjedhjet lokale kanë qenë të planifikuara 6.1 milion euro, por me gjithat duhet të presim përfundimin e këtij raporti për të ditur saktë se sa janë shpenzuar nga këto mjete të planifikuara…

-Advertisement-

Zakonisht kostoja e zgjedhjeve lokale është më e lartë sesa kostoja e zgjedhjeve parlamentare për faktin se në zgjedhjet lokale me ligj është e paraparë edhe mbajtja e raundit të dytë për zgjedhjen e kryetarit të një komune, pra të atij që ne e quajmë zakonisht si balotazh”, tha ai.

E balotazh ka pasur në 19 komuna dhe se për të ditur saktë koston e zgjedhjeve lokale duhet të pritet deri në përfundim të raportit.Ndërsa, organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve thonë se mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda një viti e dëmton buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se vendi është përballur me zgjedhje që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe se kjo ka një kosto shumë të lartë për buxhetin e Kosovës.

“Nëse e llogarisim prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe deri në dhjetorin e këtij viti janë mbajtur në Kosovë gjashtë palë zgjedhje, dy raunde të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme në Drenas, zgjedhjet parlamentare, dy raunde të votimit për zgjedhjet lokale dhe një rivotim në Istog. Që është një kosto jashtëzakonisht e lartë për një buxhet të varfër të cilin e ka Kosova dhe për më tepër kur këto shpenzime po shkaktohen për shkak të papërgjegjësisë së klasës politike në Kosovë, të cilët për shkak të llogarive të cilat i kanë në ato momente i prishin koalicionet qeverisëse dhe kështu shkaktojnë zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Krasniqi.

Sipas tij pavarësisht kësaj në pushtet mund të vijnë politikanë dhe udhëheqës të komunave të cilët janë të papërgjegjshëm dhe shkaktojnë miliona euro buxhetit të shtetit për shkak të shpenzimeve të tyre jo racionale dhe sipas tij kostoja e zgjedhjeve do të ishte shumë jo relevante në raport me ato shpenzime të cilat i bëjnë.Ndërsa, ai ka një vërejtje edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket shpenzimeve për edukimin e votuesve.

“Sa i përket KQZ-së vërejtja është tek shpenzimet të cilat i kanë bërë për edukimin e votuesve dhe të cilat kanë qenë komplet jo efektive për shkak se kanë pasur një numër të madh të votave të pavlefshme dhe KQZ ka pasur një kampanjë jashtëzakonisht të dobët, mos të them se nuk ka pasur fare sidomos në zgjedhjet parlamentare për ti informuar votuesit se si duhet të votojnë. Kështu do të mund të kishim një qeveri tjetër nëse ato rreth 8 përqind të votave të pavlefshme do të mund të rinumëroheshin. Sidomos atëherë kur kemi një rezultat shumë të ngushtë ndërmjet kandidatëve për kryetar të komunave, kështu që duhet të fokusohet aty kampanjat e KQZ-së”, tha Krasniqi.

Ndërsa, nga organizata Çohu, Genc Nimoni, ka thënë se dy palë zgjedhje brenda një viti janë një kosto e madhe për buxhetin e Kosovës.“Ne si organizatë kemi bërë monitorimin e zgjedhjeve së bashku me organizatën dhe ajo çka kemi parë natyrisht që organizimi i zgjedhjeve e ka koston e vet.

Natyrisht që dy parë zgjedhje e ngarkojnë buxhetin dhe në kushte normale kjo nuk do të duhej të ndodhte, mirëpo në rrethana të jashtëzakonshme siç ka ndodhur tek ne kanë bërë që me u organizua dy parë zgjedhje në të njëjtën kohë, në të njëjtin vit dhe natyrisht që kjo e ka koston e vet e cila e dëmton linjat e planifikimit që janë planifikuar për shpenzime të tjera”, tha Nimoni.

E mbajtja e dy palë zgjedhjeve përveç kostos financiare ka qenë sfiduese edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pavarësisht asaj që kanë pasur dy palë zgjedhje brenda një vitit kanë arritur që të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese.

“Sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dihet se viti 2017 ka qenë një vit i mbushur me angazhime të vazhdueshme për KQZ-në, fillimisht për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe pastaj edhe të zgjedhjeve lokale. Për Komisionin Qendror te Zgjedhjeve organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një detyrë kushtetuese dhe ligjore. Sigurisht që ka qenë sfidues për faktin se kemi kaluar nga një proces zgjedhor në tjetrin, në këtë rast nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në organizimin e zgjedhjeve të rregullta lokale, por pavarësisht kësaj pas një angazhimi maksimal nga ana e KQZ-së kemi arritur që të përmbushim detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore”, ka theksuar Elezi.

Kosova ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mbajtur me 11 qershor, ndërsa me 22 tetor është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale për kryetar të komunave. Zgjedhjet për raund të dytë janë mbajtur më 19 nëntor, ndërsa rivotimi në Istog është mbajtur me 17 dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera