Sport

Ja pse Shkëndija nuk është `kafshatë e lehtë` për Milanin

Autori: Gazeta inFokus 13:46 | 12 August 2017

Ekipi shqiptar i Shkëndisë së Tetovës në Maqedoni brenda pak kohësh po bën një emër të mirë në futbollin evropian. Edhe me startin e këtij viti, ky ekip me lojtarë modest ka shënjuar histori me përfaqësimin e saj në Europaligë.

Për të dytin vit me radhë skuadra shqiptare arrin të hyjë në fazën e “play off-eve”, për në grupet e Europa League, por goglat e shortit e kanë vënë përball një gjiganti si Milan. Kjo ndeshje duket si beteja Davidit me Goliathin, por çuditë në futboll nuk është se nuk ndodhin.
Gati të gjithë e shohin një mision të pamundur një sukses të mundshëm të modestëve të Shkëndisë përBall një Milani, që pretendon këtë vit të risjellë shkëlqimin e dikurshëm në rang botëror.

Por Shkëndija nuk ka për të qenë një “kafshatë e lehtë”, për Milanin e kinezëve dhe këtë e tregon rrugëtimi i saj në pjesëmarrjen e eventeve evropiane.
Vitin e kaluar, Shkëndija eliminoi ekipin e fortë polak Cracovia, pastaj radhën e kishin “të vështirët e Neftchi të Azerbajxhanit dhe në fund Mlada Boleslavin e Çekisë.

-Advertisement-

Ka qenë një ekip me emër në Europë, Genti i Belgjikës që e ndali Shkëndijën në pikën më të lartë që kishte prekur ndonjëherë në Europë. U eliminua nga një ekip që më pas kaloi grupet, e më tej eliminoi edhe Tottenhamin e madh që vjet ishte rival kryesor për titullin e kampionit në Premier League.

Këtë vit, “kuqezinjtë” e Tetovës eliminuan pastër Daçia Chisinaun e Moldavisë, Helsinkin e Finlandës dhe së fundmi Trakain e Lituanisë.

Shorti i hedhur javën e kaluar për fazën e “play off-eve”, i rezervoi Shkëndijës një “Goliath” si Milan; 7 herë fitues i Champions League. Duket si një “fat i keq” kjo përballje, por edhe nëse nuk arin rezultat pozitiv, çunat e Shkëndisë kanë mundësinë e artë për të shtuar jehonën e klubit shqiptar në rang ndërkombëtar dhe të tregojnë vlerat e tyre.

Ndërkohë, ka nisur edhe shitja e biletave për takimin historik të kthimit, që do të luhet më 24 gusht në Shkup ku stadiumi “Flipili II” pritet të mbushet plotë me tifozë kuq e zi dhe simbolet tona kombëtare. Çmimi i biletave nis nga 400 denarë, (6.5 euro), 600 denarë apo rreth 10 euro, 800 denarë ose 13 euro si dhe 1000 denarë, ose pak mbi 16 euro. Ndeshja e parë zhvillohet në “San Siro” më 17 Gusht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera