Sport

Ja pesë premtimet e parealizuara të Ismet Munishit

Autori: Gazeta inFokus 23:06 | 19 April 2019

Karriera e Ismet Munishit në futbollin profesional daton qysh në vitin 1995, teksa për herë të parë debutoi si futbollist te Flamurtari i Prishtinës, shkruan Gazetasheshi.com.

Pjesa tjetër e CV-së së tij si futbollist është një histori në vete, teksa ka arritur të luajë në nivele të larta të futbollit evropian. Majtaku i mesfushës shumë shpejtë do të binte në sy të menaxherëve të shumtë evropian dhe ardhmja e tij do të ishte larg futbollit kosovar.

Sllovenia, Turqia, Izraeli, Kazakistani e Shqipëria do të ishin destinacionet ku Munishi do shkruante me shkronja të arta emrin e tij, teksa karrierën futbollistike e mbylli te Vëllaznimi i Gjakovës në edicionin 2007/08.

-Advertisement-

Edhe karriera e tij si trajner do të niste furishëm, pasi qysh në edicionin e parë e shpëtoi Llamkos Kosovën në Superligën e Kosovës dhe një vit më pas edhe fitoi kampionatin me një rekord fantastik. Munishi që kishte nisur punën te vushtrriasit si drejtor sportive në edicionin 2012/13, ai e zëvendësoi Luan Prekazin dhe me sukses i’a doli me ‘gladiatorët’ e tij ta ruanin “Kalanë Vushtrriase” si pjesë e trashigimisë së Superligës, pasi që në ndeshjen e barazhit më 5 qershor të vitit 2013 e mposhtën Deçanin në Gjilan me rezultat 2-1.

Në edicionin vijues 2013/14 ai u bë “mbret” në ‘Ferki Aliu’ dhe njëherit arriti edhe kulminacionin e karrierës së tij, pasi që fitoi titullin e parë në histori për ekipin e Vushtrrisë dhe të parin në karrierën e tij si trajner.

Munishi me “gladiatorët” e tij nuk u ndalën me kaq, pasi që në vitin 2014 ai fitoi edhe Superkupën e Kosovës në një finale në të cilën realizonte edhe Milot Rashica për fitoren e Llamkos Kosovës ndaj Feronikelit (2-0).

Por, kjo ishte e tëra sa i përket suksesit në karrierën e Munishit, pjesa tjetër është histori e premtimeve të parealizuara.

 

1, “Nëse nuk bëhem kampion me Hajvalinë, i kthej paratë e kontratës”.

Më 25 tetor të vitit 2014 ai u largua nga Llamkos Kosova duke ofruar dorëheqje të parevokushme, pasi që klubi kishte mbetur 8 paga borgj stafit teknik dhe futbollistëve.

Aventura e rradhës për Munishin do të ishte Hajvalia e Medës. Më 28 nëntor të vitit 2014 ai mori drejtimin e skuadrës nga paralagja e kryeqytetit duke premtuar titullin kampion dhe duke vënë në garancë paratë e tij të kontratës nëse nuk ndodh një gjë e tillë.

Por, gjatë rrugëtimit për titullin kampion Hajvalia e tij mbeti prapa 10 pikë liderit Feronikeli, teksa Munishi akuzoi vazhdimisht gjyqtarët dhe drejtuesit e Federatës për parregullësi, me ç’rast edhe ishte dënuar me një muaj mos kryerje funksioni për shkak të deklaratave të tij.

Saktësisht më 13 maj ai ofroi dorëheqjen e tij nga Hajvalia, derisa kishte theksuar se po ofron dorëheqje pasi që ishte e pamundur për të dalë kampion me këtë sistem në futbollin kosovar dhe kishte deklaruar se nuk do të bëhej më kurrë trajner i një skuadre që nuk ka tifoz.

Por, hidhërimi i tij me drejtuesit e klubit zgjati për vetëm tre muaj verë, pasi që më 31 gusht u rikthye sërish te Hajvalia, duke zëvendësuar Mentor Miftarin pas vetëm dy javësh kampionat.

Munishi pati theksuar se problemet i takojnë tashmë të shkuarës dhe se te Hajvalia ka ardhur për një projekt më serioz dhe për të dalë në Evropë.

Por, e vërteta është se Hajvalia doli sërish e dyta prapa Feronikelit dhe sërish larg Evropës. Për këtë arsye Munishi me 13 qershor të vitit 2016 dha dorëhqje përfundimisht nga pozita e kryetrajnerit te Hajvalia.

 

2.“Një besë të zotit e keni, kemi me qu Dritën në maje”

Pas Hajvalisë, Munishit i erdhi oferta për të drejtuar një tjetër klub me nam në futbollin kosovar, atë të Dritës dhe më 19 tetor të vitit 2016 edhe zyrtarisht u prezantua te bardhekaltërit.

Megjithë pozitën e vështirë në renditjen tabelare që ishin gjilanasit, ai mori guximin për ta drejtuar ekipin dhe u premtoi tifozëve se “do ta qonin Dritën në maje”.

Në fakt një gjë e tillë nuk ndodhi. Aventura e tij te Drita përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi që klubi gjilanas fillimisht e suspendoi dhe më pas i shkëputi kontratën në mënyrë të njëanshme pas vido-skandalit të famshëm me gjyqtarin Bajram Gashi.

Munishi dhe Drita përfundimisht u shkurorëzuan më 4 prill të vitit 2017.

 

3. “Vëllaznimi nuk e diskuton mbijetesën”

Pas një dekade Munishi do të rikthehej sërish në Gjakovë, por kësaj rradhe si trajner. Më 16 qershor të vitit 2017 ai emërohet si trajner i kuqezinjëve dhe premtoi se do ti mbante gjakovarët në Superligë, por që shpejtë u dorëzua në këtë mision.

Ai e la Vëllaznimin më 14 dhjetor, teksa në fundin e edicionit gjakovarët u larguan nga Superliga.

 

4. “Synoj vetëm titullin kampion me Feronikelin, asgjë tjetër”

Dikur armiq të vjetër, por që historinë e tyre e shlyen më 16 dhjetor të vitit 2017, teksa Munishi edhe zyrtarisht u emërua trajner i Feronikelit, skuadër kjo që dikur e akuzonte se po trukonte ndeshjet me gjyqtarë (Gjatë kohës sa ishte trajner i Hajvalisë).

Puna e tij te “industrialistët” ishte shumë më e shkurtër se që kishte mundur ta imagjinonte tekniku kryeqytetas.

Më 19 mars të vitit 2018 ai ofroi dorëheqjen e tij nga posti i kryetrajnerit të Feronikelit duke deklaruar:

“Nuk kam mundur ta instalojë mentalitetin për titull kampion, andaj kam dhënë dorëheqje. Feronikeli ende ka gjasa për titull. Iu dëshiroj suksese lojtarëve dhe kryesisë së klubit”.

 

5. “Rrespekt për skuadrat tjera, trofeu i Kupës mbetet në Gjakovë”

Pas një aventure të shkurtër me Besën e Pejës, Munishi u rikthye sërish te Vëllaznimi. Ç’është e vërteta Munishi u “tradhëtua” nga drejtuesit e klubit pejan dhe vendosi të mbyll pas vetëm pesë javësh kampionat aventurën e tij në “Shahin Haxhiislami”.

Më 18 nëntor të vitit të 2018 ai u emërua si kryetrajner i Vëllaznimit, teksa mori “bekimin” e Agim Canës.

Pos që premtoi rikthimin në Superligë, Munishi gjithashtu premtoi edhe trofeun e Kupës në Gjakovë, teksa para ndeshjes së parë të gjysmëfinales ndaj Trepçës ’89 kishte deklaruar:

“Rrespekt për të gjitha klubet tjera që janë në garë, por trofeu i Kupës do të mbetet në Gjakovë”.

Munishi doli i turpërua nga kjo ndeshje, teksa u mposht bindshëm 0-4 në “minatorët” dhe më pas ofroi dorëheqjen e tij nga shefi i shtabit teknik duke lënë Vëllaznimin në rrugë për tu rikthyer në Superligë dhe jashtë garës për DigitAlb Kupën e Kosovës.

Ç’është e vërteta Munishi vazhdon të mbetet njëri ndër trajnerët ma karizmatik në Kosovë, luftëtarë dhe një premtues i madh, ani pse shumë prej tyre mund ti merr dhe koha.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera