Fokus

Ja kush janë pronarët e Terminaleve Doganore në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 13 May 2020

Kurti tha që po i shkaktojnë dëme 37 milion euro në vit Kosovës, këta janë biznesmenët që kanë terminale private

Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, gjatë kësaj të mërkure vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Këtu, Kurti, për pjesën e vjetër të aeroportit tha që të shëndrrohet në Terminal Doganor Shtetëror, pasi sipas tij, ata privat edhe po dëmtojnë bizneset por edhe Kosovën, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

E sipas shefit në detyrë të Qeverisë, dëmi që po i shkaktohet buxhetit të vendit është rreth 37 milionë euro në vit.

“Siç kam kuptuar 37 milionë euro i kanë të hyrat 10 terminalet doganore në pronësi private. Le të ia fillojmë me këtë terminal doganor këtu në Prishtinë që gjeografikisht është në mes të Kosovës pastaj të vazhdojmë në Mitrovicë e në Vërmicë. Ne si Qeveri shprehim interesimin që në një kohë sa më të shkurtuar që ta funkisonalizojmë këtë ndërtesë që ka edhe energji elektrike e ku funksionojnë si Terminal Doganor të shtetit tonë”, ka thënë Kurti.

Por, kush janë biznesmenët që kanë Terminale Doganore private?

Një nga ta është Shkëlqim Devolli, që sipas deklarimit në ARBK, vlera e terminalit të tij është mbi 1 milionë euro dhe është pjesë e kompanisë “Devolli Corporation”.

Por, është një terminal, me vlerë të deklaruar mbi 8 herë më të madhe se ky i Devollëve, shkruan gazeta inFokus.

Fjala është për Terminalin Doganor në Han të Elezit, që është i regjistruar me emrin “Terminali SH.P.K”, e ka vlerë mbi 8 milionë euro.

E pjesën më të madhe të këtij terminali e ka kompania me pronar njeriun e afërt të Sami Lushtakun, Rrustem Rukolli.

Ky i fundit ka 55.1% të kapitalit të këtij Terminali me kompaninë “N.n. ” r & rukolli ” sh.p.k.” dhe “Bajramaliu sh.p.k”.

Rukolli, gjithashtu ishte koordinator i mbrojtjes së ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut.

Veç, Rukollit e Devollit, Terminal Doganor ka edhe djali i kreut të LDK-së Isa Mustafës, Arben Mustafa, shkruan gazeta inFokus.

Arben Mustafa është drejtor në terminalin, “Intereuropa Kosova” që në ARBK thuhet që ka 90% të aksioneve në pronësi, ose mbi 137 mijë euro, e pjesa tjetër është në pronësi të Hazbi Hasanit.

E Terminal ka edhe familja e ish-deputetes së LDK-së, Margarita Kadriu përmes biznesit “Emporium”, i cili është në emër të babait të Margaritas, Ruzhdi Kadriut.

Kapitali i deklaruar në ARBK është në vlerën e një milion eurove.

E kompania “Fitorja” me pronar Tahir Malokun ka Terminal Doganor në komunën e Prizrenit dhe atë të Ferizajt./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera