Lajme

Ja kush ishte Murat Jashari që vdiq pak më parë

Autori: Gazeta inFokus 19:35 | 03 March 2021

Murat Jashari, i dënuari për tentativë vrasjeje ndaj avokatit Azem Vllasi ka ndërruar jetë sot, shkruan Gazeta inFokus.

Avokatja e tij, Fehmije Gashi Bytyqi ka treguar se Jashari ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por, kush ishte Murat Jashari?

Deri më 13 mars të vitit 2017, Jashari ishte një figurë e panjohur në Kosovë. Në këtë ditë ai i kishte shkuar në zyrë avokatit Azem Vllasi, për t’i bërë tentativë për vrasje.

Vllasi kishte mbetur i plagosur, e Jashari bashkë me disa persona të tjerë si pjesë e organizatës “Syri i Popullit” ishin shpallur më vonë fajtor nga Gjykata.

Ai po vuante dënimin për trajtim 10 vjeçar të detyrueshëm psikiatrik.

Prokuroria pretendonte se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje. /Gazeta inFokus/

 

Të tjera