Lajme

BSK-ja do të paguajë stikersat e mjeteve motorike, buxheti s’do të ngarkohet

Autori: Gazeta inFokus 17:25 | 12 January 2022

Byroja Kosovare e Sigurimit ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike.

Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers), njofton Klan Kosova.

Ky vendim erdhi pas takimit në zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës në mes të guvernatorit Fehmi Mehmeti, zëvendësministrit të Mjedisit, Hysen Durmishi, dhe përfaqësues të tjerë të BSK-së.

-Advertisement-

“Duke filluar nga data 1 mars 2022, është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit, ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në njoftim.

Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave, nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugor, të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit.

Zëvendësministri Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.

Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera