Fokus

Ja çka thotë Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 07 February 2019

Mbi 62 për qind e vajzave dhe grave kanë përjetuar ngacmime seksuale në Kosovë, sipas hulumtimit të Rrjetit të Grave.

I fundit, rasti shokues erdhi nga Drenasi, ku polici ka përdhunuar një vajzë 16 vjeçare, shkruan gazeta inFokus.

Pas keqtrajtimit seksual nga hetuesi policor V.V, vajza kishte mbetur shtatzënë, ndërsa kishte kryer abort në klinikën private të gjinekologut Fehmi Ahmeti.

-Advertisement-

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në janar të vitit 2009 thotë se çdo femër e moshës mbi tetëmbëdhjetë (18) vjeç ka të drejtë që të kërkoj ndërprerjen elektive të shtatzënësisë.

Në Nenin 5 të këtij ligji thuhet se femrat që kanë arritur moshën e rritur prej gjashtëmbëdhjetë (16) vjetësh dhe kanë marrë pëlqimin e prindit ose të kujdestarit ligjor kanë të drejtë të kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë.

Ky ligj po ashtu obligon mjekun familjar ose specialistin gjinekolog – obstetër, që në vizitën e parë ta informojë, këshilloj dhe udhëzoj shtatzënën e cila kërkon ndërprerjen elektive të shtatzënësisë, shkruan gazeta inFokus.

Këto këshilla duhet të jenë në lidhje me rreziqet mjekësore dhe emocionale që sjell ndërprerja e shtatzënësisë për shëndetin e femrës, të drejtat, ndihmën dhe përparësitë e garantuara me ligj për femrën, fëmijën dhe familjen, institucionet dhe organizmat që mund t’i ofrojnë nënës, fëmijës dhe familjes mbështetje morale e sociale dhe institucionet shëndetësore që kryejnë ndërprerjen e shtatzënësisë në kushte të sigurta mjekësore.

Rasti i 16-vjeçares nga Drenasi ka nxitur reagime masive.

Janë organizuar dy protesta, njëra prej të cilave është mbajtur të enjten para Policisë së Kosovës në Prishtinë, ndërsa tjetra do të mbahet të premten në Drenas.

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve ka reaguar lidhur me rastin e vajzës nga Drenasi.

Sipas kësaj shoqate, gjinekologu Fehmi Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë, pasi që nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në këtë rast. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera