Fokus

Ja çka ndodh me gjësendet e humbura në aeroportin “Adem Jashari” (Video)

Autori: Sylejman Sylejmani 15:48 | 16 October 2018

A e keni menduar ndonjëherë se çfarë bën aeroporti me gjërat të cilat u humbin pasagjerëve, e për të cilat nuk interesohet askush për ti marrë?

Raste të tilla, edhe pse jo të shpeshta ndodhin edhe në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, shkruan Gazeta inFokus.

E këto gjëra për të cilat nuk interesohet askush, aeroporti i dhuron për bamirësi.

-Advertisement-

Zëdhënësi i “Adem Jasharit”, Unidon Krasniqi flet për Gazetën inFokus rreth kësaj çështje.

“Në rast se nuk vjen askush për t’i marrë ne i japim për bamirësi. Të gjitha shkojnë për bamirësi, përveç duhanit, alkoolit e produkteve të ngjashme që asgjësohen ose kur ka ndonjë telefon i cili është me kod dhe nuk mund ta formatizojnë ose nëse ka ndonjë të dhënë personale që nuk i japim”, tregon ai.

Krasniqi thekson se kryesisht këto gjëra shkojnë për Kryqin e Kuq, SOS-in dhe për organizatat e ngjashme.

Por, para se të arrihet tek kjo periudhë kur ato jepen për bamirësi, duhet të kalohen disa procedura.

Krasniqi tregon se këto gjësende dërgohen në dy depo të cilat i kanë në dispozicion, ku plotësohen disa të dhëna.

Pasi të merret vesh se ku është gjetur gjësendi e kush e ka lajmëruar, artikujt mbahen për gjashtë muaj në depo.

“Pas 6 muajve publikohet një shpallje në media ku ftohen personat që mendojnë se mund të jenë pronarë të ndonjë prej këtyre artikujve, të vijnë brenda afatit kohor (zakonisht 1 javë) të shkojnë nëse mund të gjejnë gjërat e tyre”, deklaron Krasniqi.

Çelësat, syzet, librat, xhaketat e shallatë janë disa prej produkteve që u humbin më shpesh pasagjerëve të “Adem Jasharit”. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera