Lajme

Ja çfarë mund të bëjnë kandidatët për deputetë të cilët nuk certifikohen nga KQZ-ja   

Autori: Hateme Smajli 19:39 | 19 January 2021

Kandidatët për deputetë të cilët nuk certifikohen nga KQZ-ja për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit kanë të drejtë ankese deri në Gjykatën Kushtetuese.

Në një intervistë për Gazetën inFokus, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, ka thënë se pasi ti kenë shterur të gjitha mundësitë juridike, kandidatët mund të bëjnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Vendimi i përket Komisionit Qendror Zgjedhor, sidoqoftë vendimet e KQZ-së janë të ankueshme, që nënkupton që kandidatët dhe partitë e pakënaqura kanë të drejtë që çdo vendim të KQZ-së për mos certifikim ta ankohen në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave dhe pastaj nëse edhe PZAP vendos njëjtë atëherë është Gjykata Supreme dhe në fund çdo kandidat në bazë të kushtetutës në bazë të ligjit të obligueshëm në Kosovë nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme kanë të drejtën ti drejtohen prapë Gjykatës Kushtetuese pra pasi ti kanë shterur të gjitha mjetet juridike”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Po ashtu sipas Miftarajt kjo është një mundësi për Gjykatën Kushtetuese që të jep një sqarim në lidhje me vendimin e fundit me të cilin edhe u rrëzua qeveria Hoti.

“Ky institucion mund të themi mund të vendosë prapë apo të jep ndoshta tanimë një sqarim tjetër lidhur me atë se çka ka nënkuptuar me aktgjykimin e fundit përmes të cilave në një farë mënyrë e ndërtoi standardin e ndërtoj praktikën e re që qytetarët e Kosovës të dënuar në tre vitet e fundit ti kufizohet e drejta për të garuar”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të fundit për ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, e shpalli të pavlefshme votën e tij pro qeverisë Hoti për shkak se ishte i dënuar me vendim të prerë në 3 vitet e fundit.

Më poshtë mund ta shikoni intervistën e plotë me Ehat Miftaraj./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera