Lajme

Izraeli paralajmëron shtetasit e saj që të largohen menjëherë nga Turqia

Autori: Gazeta inFokus 22:58 | 13 June 2022

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, u bëri thirrje të hënën qytetarëve në Turqi që të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kjo, për kërcënimet se operativët iranianë po planifikojnë në mënyrë aktive sulme ndaj izraelitëve në Stamboll.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar fjalën e kryediplomatit izraelit.

“Është një rrezik real dhe i menjëhershëm”, theksoi Lapid gjatë një takimi me ligjvënësit nga partia e tij Yesh Atid.

Për të gjithë ata shtetas që janë në Stamboll aktualisht, zyrtari bëri thirrje që të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nëse keni planifikuar një fluturim për në Stamboll, anulojeni. Asnjë pushim nuk vlen më shumë se jeta juaj. Mos fluturoni fare për në Turqi”, shtoi ministri i Jashtëm.

Lapid nuk bëri asnjë referencë për ndonjë operacion të supozuar izraelit brenda Iran-it.

Por ai tha se disa izraelitë që udhëtuan së fundmi në Turqi ishin kthyer “pa e ditur se jeta e tyre u shpëtua”.

Më herët, transmetuesi publik izraelit ‘Kan’ raportoi për planet iraniane për të rrëmbyer izraelitët në Turqi një muaj më parë.

Kjo gjë u pengua pasi Izraeli njoftoi Ankaranë për kërcënimin.

Lapid falënderoi qeverinë turke “për përpjekjet që po bëjnë për të mbrojtur jetët e qytetarëve izraelitë”, pa dhënë detaje të tjera.

Të tjera