Lajme

Izolohen punëtorët e çerdhes “Gëzimi Ynë”, drejtoresha e saj jep detaje

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 02 June 2020

Prej 27 rasteve të fundit të konfirmuara me koronavirus në Kosovë, 5 raste janë nga Komuna e Fushë-Kosovës. E një grua e infektuar doli të jetë edukatore e çerdhes publike të kësaj komune. Në një prononcim për FaktePlus, drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Sherife Tërnava ka treguar se a ka pasur kontakte stafi me edukatoren e prekur nga Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës  çdo ditë po kryen testime të mostrave nga Klinika Infektive për të gjurmuar kontaktet e rasteve me koronavirus në Kosovë.

Ndërsa, më 1 qershor nga 172 mostra, janë konfirmuar edhe  27 raste të reja me Covid-19.

-Advertisement-

IKSHPK-ja ka njoftuar se ndër to në Komunën e Fushë-Kosovës janë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Bresje).

E njëri nga këto raste del të jetë një edukatore e çerdhes publike në Fushë- Kosovë. Kjo ka bërë që çerdhja “Gëzimi Ynë” të mos jetë e hapur si të tjerat nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës.

Drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Sherife Tërnava ka treguar se a ka pasur kontakte stafi me edukatoren e prekur nga Covid-19.

Ajo thekson se edukatorja e infektuar ka qenë në pushim të lehonisë dhe se nuk ka  pasur kontakte me edukatoret e tjera.

“Është një edukatore e infektuar por ajo ka qenë në pushim të lindjes dhe nuk ka pasur kontakte me neve. Nuk ka qenë në çerdhe. Por, ne duhet të marrim masa që të verifikojmë se a ka pasur kontakte edukatorja e infektuar me edukatorë të tjerë. Arsyeja pse e kemi mbyllur çerdhen është sepse deri të marrim informacione nëse kanë pasur kontakte mes vete. Për momentin nuk kemi dyshime nëse edhe dikush tjetër është i infektuar”, ka thënë drejtoresha Tërnava.

Ajo tutje ka treguar se ka kërkuar nga drejtoria komunale e Fushë Kosovës që të behët testimi i të gjithë edukatorëve dhe punëtorëve në këtë çerdhe.

“Kemi biseduar me drejtorin komunal që të hulumtojmë kontaktet e rastit dhe kemi kërkuar që të bëjmë analizat të gjithëve dhe kemi vendosur që për një kohë  edukatorët të izolohen”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e çerdhes “ Gëzimi ynë”, Sherife Tërnava ndër të tjera ka pohuar se puna me fëmijët nuk ka filluar  dhe se edukatorët nuk kanë qenë në punë, mirëpo FaktePlus merr vesh se edukatorët janë lajmëruar në vendin e tyre të punës pa nisur puna me fëmijë.

“Me fëmijë ne nuk kemi pasur mësim dhe nuk kemi pasur kontakte sepse nuk kemi filluar punën më 1 qershor sepse nuk kemi qenë gati për punë”, shton mes tjerash Tërnava.

Ndryshe rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe komuna e Fushë Kosovës, nga e cila thuhet se gjendja e të infektuarve është stabile.

Ali Topalli, zëdhënës në këtë komunë tha se bëhet fjalë për një familje, një burrë dhe grua, si dhe tre fëmijët e tyre.

“Bëhet fjalë për një familje, jeton në Bresje, është infektuar me Covid-19, është rast kontakti me familjarët e tyre në Komunën e Vushtrrisë” ka shtuar Topalli.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera