Fokus

Italianët e “IP-Gruppo API” braktisin tregun e naftës në Kosovë

Autori: Sylejman Sylejmani 12:23 | 27 May 2019

Në fund të vitit 2014, kompania “IP-Kos” kishte marrë në shfrytëzim dhjetëra pompa të derivateve, që deri në atë kohë mbaheshin nga “Kosova Petrol”.

Këtë kjo kompani e kishte bërë duke thënë se po e sjellin në Kosovë një investitor të madh italian, shkruan Gazeta inFokus.

Megjithatë, pesë vjet pas “IP-Kos” ka ndarë rrugët me kompaninë italiane “IP-Gruppo API”, duke e shkëputur kontratën mes tyre e duke prishur ortakërinë.

-Advertisement-

Në këtë mënyrë, kompania që morri gjithë këto pompa derivatesh me një vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mbeti pa investitor të jashtëm.

Asokohe, AKP-ja kishte hapur tender për t’i dhënë në shfrytëzim këto pika derivatesh, që shfrytëzoheshin nga “Kosova Petrol”.

E në mesin e 117 konkurrenteve, fituese doli “IP-Kos”, duke u thirrur si përfaqësuese e kompanisë italiane “IP-Gruppo API”.

Në kontratën fillestare thuhej se kompania do t’ia paguante AKP-së 51 mijë euro për gjashtë muaj shfrytëzim.

Pas kësaj periudhe, kontrata mund të vazhdohej.

Gazeta inFokus ka disa ditë që për këtë çështje ka dërguar pyetje në adresë të “IP-Kos”, por pavarësisht premtimeve nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, ka qenë vetë kompania që e ka bërë një njoftim në Facebook për shkëputje të kontratës me italianët.

Kjo kanë thënë se ndodhi për ta avancuar kompaninë.

“Ky avancim do t’i mundësojë IP-KOS të zhvillojë më tej afarizmin duke ofruar produkte të reja të mbështetura nga teknologjitë e fundit, investime të reja në pikat e saja shitëse, zgjerim të rrjetit dhe risi në shërbim ndaj klientëve”, thuhet në këtë njoftim të tyre.

E nëpër pikat e “IP-Kos” nuk po vërehet ndonjë dallim i madh prej të kaluarës kur kishin bashkëpunim me brendin italian.

Por modifikime janë bërë në logon e pikave te shitjes së karburanteve.

Kompania vazhdon që në një pjesë të emrit të saj ta mbajë shkurtesën “IP”, që në të kaluarën ishte Italian Petrol. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera