Lajme

Ismaili: Ka dyshime se 100 milionëshi për rrymë ka shkuar edhe në xhirollogari ruse

Autori: Gazeta inFokus 14:54 | 23 April 2022

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në një konferencë për media, ka folur për raportimet e fundit rreth skandalit financiar ku është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe refuzimi i themelimit të komisionit hetimor parlamentar që, sipas tij, do të hetonte procesin e shpenzimeve të dedikuara për blerje të rrymës.

Ismaili tha se ka qenë kërkesë e vazhdueshme e PDK-së themelimi i një komisioni të tillë që do të hetonte procesin e shpenzimit të mbi 100 milionë eurove të dedikuara për blerje të rrymës, por sipas tij, kjo gjë po pengohet nga kryeministri Albin Kurti për disa arsye.

“Kjo e drejtë kushtetuese, e ndaluar dhe penguar nga Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka për qëllim që të mbajnë larg dritës kontratat e shit-blerjes së rrymës”.

-Advertisement-

“Sepse, kështu zbulohet rrjedha e parës dhe lidhet potenciali të kartelit të rrymës dhe bashkëpunëtorëve të kryeministrit Kurti”, është shprehur Ismaili.

Më tej, i dyti i PDK-së tha se nga 100 milionë euro të ndara për blerje të rrymës kanë përfituar edhe kompani nga Serbia, e kjo siç tha ai, është veç fillimi i një bunari korruptiv, teksa shtoi se këto para janë shpërndarë edhe në xhirollogari ruse.

“Hetimi parlamentar, ku do të përfshiheshin deputetë të opozitës e pozitës, tani është interes kombëtar. Komision parlamentar hetimor, i përbërë nga pozita e opozita, si dhe ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile, ku së bashku do të hetonin se ku, si dhe kujt i janë dhënë miliona euro të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, Ismaili tha se raportohet se Korporata Energjetike e Kosovës, i ka shitur energji elektrike kompanisë GEN-i me çmim prej 105 euro për megavat, e në të njëjtën periudhë ka blerë rrymë nga kompani me çmim prej 255 euro.

“Ta thjeshtojmë, pra Kosova ka blerë shtrenjtë e Beogradit ia ka shitur lirë. Pra, kjo ka qenë ajo që ne e shohim tani, që gjatë kësaj kohe, Kosova ka blerë rrymë shtrenjtë e Beogradit ia ka shitur lirë”.

Ai tha se është shqetësuese se shtrirja e kësaj çështje përfshinë shumë hallka të institucioneve, duke përfshirë ambasadën e Kosovës në Kroaci, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Kryeministrinë e Presidencën.

“Kjo është afera e një karteli të rrymës që shtrihet në vendin tonë e po mbrohet nga institucionet e vendit”.

“Kjo tregon se rritja e çmimit nuk e ka zanafillën në luftën e Ukrainës, por në qeverinë e Kosovës. Kjo tregon se pse Kurti refuzon themelimin e komisionit hetimor për zbardhjen e këtyre skandaleve. Por, ne jemi të vendosur dhe këtë çështje do ta çojmë deri në fund, deri sa të zbardhet e vërteta dhe të jepet llogaria e merituar”, është shprehur Ismaili.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera