Lajme

Gjatë 2021-ës janë arrestuar pesë zyrtarë korrektues për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Autori: Gazeta inFokus 14:40 | 07 January 2022

Rastet e kontrabandës me drogë dhe përdorimit të telefonave janë evidente në burgjet e Kosovës. Gjatë viti që lamë pas janë arrestuar pesë zyrtarë korrektues të cilët kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Ata u kanë ndihmuar të dënuarve dhe të paraburgosurve që të fusin në qendrat korrektuese pajisje të jashtëligjshme. Sfidë për Shërbimin Korrektues mbetet trajtimi i personave me nevoja të veçanta dhe probleme psikike.

Nga ky institucion deklarojnë se nga ky muaj do të fillojnë procedurat tenderuese për renovimin e objektit dhe rekrutimin e stafit korrektues në kuadër të Qendrës Korrektuese në Dubravë. Për këtë projekt janë ndarë 412 mijë euro dhe pritet që të hapet në shtator të vitit 2022.

Zyrtari i lartë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani në një intervistë për KosovaPress thotë se aktualisht në burgjet e vendit janë duke u mbajtur 1700 të dënuar dhe të paraburgosur.

-Advertisement-

“1700 të dënuar dhe të paraburgosur. Kjo çdo herë është mbi 1000 të dënuar, apo 1000 deri në 1100. Ndërsa të paraburgosur nga 600 deri në 700. Shifra që është brenda vitit. Sot kur po flasim i kemi 1116 të dënuar dhe 623 të paraburgosur… Realisht nuk kemi telashe me hapësirat. Telashet i kemi pasur për hapësirat për rastet psikiatrike, por jo edhe për të paraburgosurit dhe të dënuar të tjerë. Për momentin i kemi mbi 2500 vende, kapaciteti i Shërbimit Korrektues për Qendrat e Paraburgimit dhe Qendrat Korrektuese është mbi 2500”, deklaron ai.

Teksa flet për situatën me pandeminë gjatë vitit, ai bën të ditur se gjatë kësaj kohe një person i infektuar me koronavirus ka humbur jetën. Derisa bën të ditur se deri më tani kanë qenë 250 persona të stafit korrektues dhe 50 të tjerë të burgosur të cilët janë infektuar.

Gjatë vitit që shkoi, dy persona kanë bërë vetëvrasje brenda burgjeve të Kosovës. Dibrani flet për nevojën urgjente për ekzaminim psikiatrik të disa të burgosurve.

“Sfidë tjetër për Shërbimin Korrektues janë rastet psikiatrike. Siç e dini, Shërbimi Korrektues i Kosovës apo edhe krejt shteti e ka vetëm Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Po ashtu ne e kemi edhe në qendrën korrektuese në Dubravë, stacionin shëndetësor dhe aty kemi disa dhoma. Por, jo numri i mjaftueshëm për tu vendosur këta persona. Kjo është sfidë edhe për gjykatat, sepse në shumicën e rasteve gjykatat nxjerrin vendime që këta persona të vendosen në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Pastaj në mungesë të hapësirave, detyrohen që këta persona të vendosen jo në kushte adekuate, por në qendrat e paraburgimit”, shprehet ai.

Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve, por as në Institutin e Forenzikës Psikiatrike nuk ka vende të lira. Për këtë Dibrani thotë se janë ndarë mbi 400 mijë euro për të themeluar një institut për trajtimin e këtyre personave.

“Si rezultat i kësaj ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të themeluar një institut për trajtimin e personave me nevoja të veçanta. Dhe kemi hasur në mbështetjen e ministres e cila ka shtyrë tutje këtë projekt. Dhe fatmirësisht ky projekt është mbështetur edhe nga Departamenti i Kosovës, ku janë ndarë 412 mijë euro, ne vetëm kemi filluar me hapjen e konkursit për zyrtarët korrektues të cilët do të punësohet në këtë qendër. Po ashtu, gjatë janarit pritet Departamenti Shëndetësor i burgjeve që të hap konkurset për zyrtarët shëndetësorë. Po ashtu, do të bëhet renovimi i një objekti i cili është i pashfrytëzuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, që total projekti është 412 mijë euro”, deklaron ai.

Ai zotohet se tashmë kanë filluar procedurat tenderuese për renovimin e objektit dhe rekrutimin e stafit korrektues.

“Ne nga janari fillojmë me procedurat tenderuese për renovimin e objektit. Ne vetëm kemi filluar me rekrutimin për staf korrektues. Për këtë projekt kemi mbështetje të fuqishme si nga Ambasada Amerikane, po ashtu edhe nga EULEX-i. I gjithë stafi që do të punojë këtu me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, i cili do të trajnohet dhe do të ketë vizita studimore ne vendet ku kanë praktika të njëjta. Po shpresojmë që shtatori neve do të na gjej me fillimin e punës në këtë institucion, me staf të përgatitur dhe staf i cili do të merr praktikat më të mira në vendet e zhvilluara”, shprehet ai.

Në Qendrat Korrektuese ka numër të madh të të burgosurve që janë përdorues të substancave narkotike. Shërbimi Korrektues i Kosovës po synon zgjerimin e Psikiatrisë Forenzike për trajtimin e këtyre rasteve në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“I kemi afër 400 përdorues të drogave, që nuk do të thotë që janë raste ekstreme të rënda. Por, çdo ditë e më tepër kemi pranime të reja, me vendime të gjykatave të cilat kërkojnë trajtim specifik, trajtim për tu ekzaminuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Por, edhe këtu e kemi një projekt dhe që shumë shpejt do të dalim me hapa konkret për zgjerimin e Psikiatrisë Forenzike, por edhe dhomave të veçanta të cilat do të jenë brenda QKUK-së”, shton Dibrani për KosovaPress.

Sfidë mbetet edhe dukuria e kontrabandës në burgjet e Kosovës. Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të ShKK-së, Ismail Dibrani thotë se janë duke marrë masa për të luftuar këtë dukuri dhe se sfidë mbetet edhe luftimi i korrupsionit.

“Gjatë këtij viti kemi arrestuar apo janë në mbajtje pesë zyrtarë korrektues, që i kemi parandaluar për të futur kontrabandën. Ne opinionin e njoftojmë në baza ditore për luftimin e kontrabandës. Tentimi për futjen e kontrabandës në rastet më të mëdha bëhet përmes familjarëve të tyre. Duke mos lënë anash edhe rrugët më banale. Por, sa i përket kontrabandës ne kemi ndërmarrë veprime konkrete. Jemi mbështetur fuqishëm nga Ambasada Amerikane me pajisje më të sofistikuara që i kemi pasur ndonjëherë. I kemi skanerët më modern të cilat detektojnë të gjitha gjërat të cilat nuk duhet të futen brenda burgut. Po ashtu, kemi detektorë shumë të sofistikuar që bëjnë të mundur gjetjen e telefonave”, thekson Dibrani.

Afër 1700 persona janë të angazhuar si staf korrektues dhe staf administrativ në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ndërsa ka filluar procesi i rekrutimit të 50 zyrtarëve të tjerë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera