Lajme

Ish-spiuni i BIA-s regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, Prokuroria Speciale s’e heton

Autori: Gazeta inFokus 15:35 | 13 December 2019

Branislav Nikolic i cili ka shërbyer si këshilltar i Presidentit aktual Hashim Thaçi ishte shkarkuar nga ky i fundit në qershor të këtij viti, pasi u raportua se Nikolic kishte qenë agjent i shërbimit sekret serb(BIA).

Nikolic ka qenë në garë për deputet të Kuvendit të Kosovës si pjesë e Listës Serbe në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Ai ka arritur të bëhet deputet duke marrë 14 mijë e 419 vota. Kurse nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë thënë për Gazetën Express se nuk kanë iniciuar kurrfarë procedure hetimi lidhur me veprimtarinë e deputetit të zgjedhur Branislav Nikolic si pjesë e BIA-s serbe.

-Advertisement-

Branislav Nikolic është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, duke arritur të marrë gjithsej 14 mijë e 419 vota, për mandatin e fituar të të cilit Gazeta Express kishte raportuar e para.

Që nga viti 2016 kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës, Branislav Nikolic kishte qenë pjesë e kabinetit të Thaçit si këshilltar i tij.

Shkarkimi i tij erdhi pasi Televizioni T7 kishte raportuar se Nikolic kishte qenë pjesë e shërbimit të Inteligjencës së Serbisë(BIA).

Në njoftimin për shkarkimin e tij, zyra e Thaçit kishte thënë se nuk kanë pasur informacione paraprake lidhur me zyrtarin që ka këshilluar presidentin për tre vite rresht.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhej në përgjigjen e zyrës së Thaçit.

Nga certifikimi i zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Lista Serbe ka fituar të gjitha 10 ulëset e garantuara me kushtetutë për komunitetin serb në Kuvend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera