Lajme

Ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile me paga të dyfishta?

Autori: Gazeta inFokus 10:44 | 05 August 2023

Të paktën qindra mijëra euro në vlerë të pagave u janë dhënë ndër vite pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë qenë të paraparë të integrohen në institucionet kosovare. E raportet tregojnë se një pjesë prej tyre nuk kanë punuar asnjëherë për pagat që kanë marrë nga Qeveria e Kosovës. Tani, dyshohet se disa po marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë.

Paga i del në llogari çdo muaj për një pozitë të cilën nuk e ushtron dhe punë të cilat nuk i kryen.

N.N, serb i Kosovës (i cili foli në kushte të plota anonimiteti), i ka treguar Radios Evropës së Lirë se ai paguhet nga një ministri e Qeverisë së Kosovës tash e shtatë vjet, pa punuar asnjë ditë.

-Advertisement-

Ai, së bashku me më shumë 450 serbë të tjerë nga Kosova u punësuan në institucionet e Kosovës rreth vitit 2016.

Kjo u bë në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel më 2015, që kishte për qëllim integrimin e pjesëtarëve të organizatës Mbrojtja Civile, që ishte paraparë të shpërbëhej në atë kohë dhe e cila funksiononte në kuadër të institucioneve serbe në veri të Kosovës.

Autoritetet kosovare pretendojnë se kjo organizatë është ende aktive dhe si të tillë e ka shpallur terroriste më 29 qershor të vitit 2023.

Në këtë cilësim, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk përfshihen ish-pjesëtarët e kësaj organizate që tani janë të punësuar në institucionet kosovare.

Beogradi zyrtar i ka mohuar pretendimet e Prishtinës dhe ka thënë se organizata është shuar.

Paga pa punuar e paga të dyfishta

Fakti se disa punëtorë të integruar nga ish-Mbrojtja Civile paguhen pa punuar, është bërë e ditur më së shpeshti nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA), në raportet vjetore për institucionet.

Vetëm për vitin 2022, në raportet që ka publikuar deri më tani, ZKA-ja ua ka tërhequr vërejtjen disa ministrive për pagesa ndaj punëtorëve që nuk kanë kryer punët e parapara në kontratë, ose vetëm kanë nënshkruar një dokument të vijueshmërisë.

Arsyetimi i shumë prej institucioneve kosovare për këtë problematikë është se nuk është arritur të sigurohen ambiente pune për këta të punësuar, në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.

Kështu thotë edhe N.N, i cili thekson se atyre nuk u janë ofruar zyre apo kushte pune.

“Ministria e di këtë, prandaj nuk ka arsye të na pushojë nga puna”, thotë ai.

Rikujtojmë se pas fillimit të procesit të integrimit, në Mitrovicën e Veriut, ishte bërë një përpjekje për hapjen e zyrave të ministrive dhe agjencive, ku do të punonin ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, porse një hotel i dedikuar për këtë qëllim, ishte sulmuar menjëherë pas prezantimit si qendër e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor të vitit 2016.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur përpjekje tjera për hapjen e zyrave në atë zonë.

Sipas N.N, shumë kolegë të tij të ish-Mbrojtjes Civile, të integruar, nuk u dorëhoqën nga institucionet siç bëri një pjesë tjetër e serbëve, në nëntor të vitit 2022.

Ai sqaron se disa kolegë të tij e kanë nënshkruar dorëheqjen, të cilën e kanë dorëzuar në komuna përkatëse, por asnjëherë nuk kanë marrë vendim për ndërprerje të punës, andaj beson se dorëheqjet nuk kanë shkuar asnjëherë në ministritë kompetente.

Pra, atyre nuk iu ndërpre kontrata apo paga nga buxheti i Kosovës.

N.N. pretendon se kolegët e tij, të cilët kanë nënshkruar dorëheqjet (ndonëse vazhdojnë të kenë kontrata me institucionet e Kosovës), kanë filluar të marrin paga nga buxheti i Serbisë, pasi Beogradi zyrtar vendosi t’i mbështesë serbët e dorëhequr me pagë ekuivalente sa e merrnin nga buxheti i Kosovës.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë për të pyetur lidhur me atë se a ka ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile që marrin paga nga Serbia dhe nëse janë të vetëdijshëm që një pjesë prej tyre paguhen edhe nga buxheti i Kosovës.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Një ministri i ndali e i riktheu pagat për këta punëtorë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në shkurt të vitit 2022 kishte marrë vendim që 32 punëtorëve të integruar t’ua ndalojë pagat për shkak të “mosparaqitjes në punë”.Megjithatë, në prill të po atij viti, Ministria thotë se ka organizuar takim me përfaqësuesit nga radhët e të angazhuarve nga ish-Mbrojtja Civile dhe me këtë rast është arritur marrëveshja e përbashkët me katër komunat e veriut që “32 të angazhuarit e ish-Mbrojtjes Civile të barten në pjesën veriore”.

Sipas Ministrisë, pjesë e marrëveshjes ka qenë raportimi i rregullt për çdo muaj i vijueshmërisë së tyre në punë.

Kështu ata ishin kthyer në listë të pagave e madje u ishin paguar retroaktivisht pagat që u ishin pezulluar për dy muaj.

Megjithatë, ministria nuk ka treguar se çfarë lloj dëshmish kanë se këta punëtorë janë duke punuar dhe duke zbatuar detyrat e tyre në përditshmëri.

Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, në qershor të vitit 2022 kishte konstatuar se “deri në fund të auditimit nuk kishte ndonjë dëshmi për vijueshmërinë e tyre në vendin e punës”.

Të dhëna kontradiktore nga institucionet

Disa ministri të kontaktuara nga REL-i kanë ofruar të dhëna që bien në kundërshtim me të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Shembull, për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ZKA-ja thotë se ka të integruar 64 punëtorë dhe ata nuk janë paraqitur në punë as gjatë vitit 2022.

Ndërsa, ministria thotë se kanë 32 zyrtarë e se për ta pranojnë “raporte në baza javore të nënshkruara nga zyrtarët në librin e evidencës për vijueshmëri në punë”.

Megjithatë, në raportin e ZKA-së, theksohet se “sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës, nuk kanë objektiva të përcaktuar dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri”.

Gjetje të ngjashme janë edhe për disa ministri të tjera.

Ministria për Komunitete dhe Kthim ka thënë se i ka 19 zyrtarë, të cilët i ka të angazhuar “në terren në pjesën veriore”.

Ndërsa, sipas ZKA-së, kjo ministri kishte filluar që të punësuarit t’i angazhojë në monitorim të projekteve kapitale për disa ditë gjatë vitit.

“Të angazhuar ishin vetëm gjashtë zyrtarë me detyra të monitorimit prej 1-3 ditë gjatë gjithë vitit”, thuhet në raport.

Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna të përgjithshme se sa është numri i saktë i të integruarve nga ish-Mbrojtja Civile nëpër ministri dhe sa prej tyre nuk dalin në punë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mbrojtja Civile ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.
E konsideruar si struktura paralele më e rrezikshme për sigurinë nacionale të Kosovës, në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe pastaj më 2013 dhe 2014, numri ishte rritur në rreth 751.

Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera