Lajme

Ish-ministrja Dhurata Hoxha kërkon përjashtimin e prokurorit special Dren Paca

Autori: Gazeta inFokus 10:50 | 16 September 2022

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka kërkuar përjashtimin e prokurorit special Dren Paca, me arsyetimin se bashkëshorti i saj njihet me babain e tij, Agim Paca dhe këtë fakt e ka fshehur prokurori.

Një kërkesë të tillë, e akuzuara Hoxha e ka bërë në seancën e së premtes, në rastin ku ajo, Kushtrim Cukaj, ish-sekretar dhe tre të tjerë, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani, po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur e kam pyetur bashkëshortin tim. ai me ka njoftuar se nuk e njeh gjyqtarin e çështjes, mirëpo e njeh, pra ka lidhje shoqërore dhe e njeh babain e prokurorit Dren Paca, z.Agim Paca, i cili ka qene i angazhuar si profesor ne Kolegjin ESLG ku bashkëshorti ka qenë pronar në vitin akademik 2012-2013 dhe duke shtuar pra këtë fakt ky prokuror i rastit ka fshehur këtë fakt”, tha Hoxha.

Paraprakisht ajo njoftoi trupin gjykues se para disa ditëve është kontaktuar nga disa media dhe është pyetur se a është e vërtet se bashkëshorti i saj e njeh personalisht kryetarin e trupit gjykues, gjykatësin Arben Hoti.

“Unë e kam pyetur burrin tim se a e njeh z. Arben Hoti dhe i njëjti ka konfirmuar se nuk ka njohuri as nuk ka lidhje shoqërore dhe asnjëherë nuk e ka takuar gjykatësin e çështjes, përkundër faktit se prokurori i lendes Dren Paca ka kerku ndërrimin e gjyqtarit duke akuzuar bashkëshortin tim për një çështje te tillë”, shtoi ajo.

Në fund, ajo deklaroi se duke marr parasysh kërcënimet që u janë bërë dëshmitarëve në seancën e kaluar, është bindur se kjo çështje është personale, për çka edhe ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e prokurorit Paca.

“Duke marr parasysh kërcënimet qe u janë bere dëshmitarëve ne seancën e kaluar unë tashme jam bindur se kjo çështje është personale dhe qe nga fillimi nuk jam siguruar as unë në këtë çështje ne një hetim te pavarur dhe te pa anshëm, po qe nga fillimi është treguar tendenca ndaj meje dhe për këtë shkak po e bej publike edhe për opinionin publik qe sot ne mëngjes kam dërguar kërkesën për përjashtimin e prokurorit Dren Paca tek prokurori i PSRK-së Z. Blerim Isufaj”, tha Hoxha.

Lidhur me këtë deklarim të të akuzuarës Hoxha, prokurori Paca tha se nuk ka cfarë të deklarohet dhe nëse ka kërkesë për përjashtim atëherë i takon kryeprokurorit të vendos për këtë.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë ndryshimi i trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shadije Gërguri, tash e tutje do të jete gjykatësi Lutfi Shala.

Pas kësaj, gjykatësi Hoti, ndërpreu seancën e sotme dhe atë të radhës e caktoi më 21 tetor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison StrategiesLLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

Të tjera