Lajme

Ish-ministri Selimi i komenton përplasjet Kurti-Abdixhiku: Si në filma karate

Autori: Gazeta inFokus 15:31 | 29 December 2021

Përplasja mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës po duket si në filma karateje, në sytë e ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

Të martën, në seancën e Kuvendit të Kosovës kur diskutohej për shpalljen e gjendjes emergjente elektrike, Abdixhiku kritikoi Kurtin duke i thënë të dorëzojë diplomën e inxhinierisë “nëse nuk e din se çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet”.

ABDIXHIKU: KURTI TA KTHEJË DIPLOMËN E INXHINIERIT, POPULIZMI I TIJ PO E LË KOSOVËN NË TERR

-Advertisement-

“Një Kryeministër, ani pse me profesion inxhinier, ka zgjedhur popullizmin si mjet. Po u flet masave militante të tij. Kjo tani është më shumë se padituri. Është krizë. E tij, e qeverisë së tij, së këndejmi e gjithë vendit që ai e drejton. Sepse, jam i bindur se ai duhet ta dijë, e nëse nuk e din si inxhinier ta kthej diplomën menjëherë, se rryma, çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet. Çmimet fiksohen. Se, sikurse grurin, naftën e çdo mall tjetër në treg, mund ta blesh dhe energjinë elektrike me çmime që nuk ndryshojnë. Por për të bërë një gjë të tillë, duhesh të veprosh në kohë. Jo i fundit në Evropë siç po bëhet sot, por nëse asgjë tjetër, barabartë me shtetet në rajon”, ishte shprehur Abdixhiku.

“NUK PO DIN BRE BURRË”, LUMIR ABDIXHIKU KRITIKON ALBIN KURTIN

Një ditë më pas, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Kurti iu përgjigj Abdixhikut. Ai ka thënë se deri tash s’ka bërë gabime në qeverisje, e se pushtetin e ka marrë për shkak të dëshpërimit të popullit në ish-pushtetin, që tash është opozitë.

“Unë diplomën në Universitetin e Prishtinës e kam në Fakultetin e Elektroteknikës, Telekomunikacion…, nuk e kam për blerjen e rrymës por nuk besoj që kemi bërë as një lëshim apo gabim deri tash. Ndodhin sulme e akuza të shumta të opozitës, por duhet ta kuptoni që unë kam ardhur në qeverisje me një fitore të listës me mbi 50 për qind sepse ka ekzistuar një dëshpërim i madh me ish-pushtetin që tash është në opozitë. Nga dëshpërimi kur ishin në pushtet, unë kam ardhur në qeverisje e tash kjo opozitë që e dëshpëroi popullin aq shumë që neve na solli fitoren historike, tash është e dëshpëruar me mua. Më duken sikur dy anët e një medalje”, ka deklaruar i pari i ekzekutivit.

KURTI I KUNDËRPËRGJIGJET ABDIXHIKUT PËR KTHIMIN E DIPLOMËS SË INXHINIERIT

E gjithë kjo, sipas Selimit që është pjesë e partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është sikur në filma karateje.

“Kjo puna e KM Kurti dhe Abdixhikut si në filma karate. Masteri e mëson nxënësin deri në fund e tani nxënësi rebelohet se e ndien veten, e i thotë jo se ti s’po di. Por masteri s’ia ka kallëzu një potez dhe e mund në fund të filmit me një goditje. Kjo po doket si tango po Albini pe kërcen vetë”, ka shkruar Selimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera