Lajme

Ish-ministri e akuzon zëvendësministrin: Po tenton të më persekutojë politikisht

Autori: Gazeta inFokus 18:47 | 21 November 2021

Selim Selimi e ka cilësuar tentim për persekutim politik ushtrimin e një kallëzimi penal kundër tij nga zëvendësministri aktual i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Kallëzimi penal kundër ish-ministrit të Drejtësisë në Qeverinë Hoti, i ushtruar shtatë muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë mbi dyshimet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, është rrëzuar nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria njoftoi sot se denoncimi ndaj Selimit, por edhe drejtorit të ShKK-së, Nehat Thaçi, u hodh poshtë në mungesë të provave.

-Advertisement-

Ndërkaq, ish-ministri Selimi tha sot se veprimet e zëvendësministrit Sallahu kundrejt tij, kanë një synim: persekutimin e kundërshtarëve politikë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

“Konsideroj se ushtrimi i kallëzimit penal ndaj meje është një nga metodat e persekutimit politik që tenton të kryejë pushteti aktual ndaj kundërshtarëve të tij politikë”, tha ish-ministri Selimi në një deklaratë për Paparacin.

Ish-shefi i dikasterit të drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, tha se “qeveria aktuale dhe njerëzit e saj që udhëheqin me Ministrinë e Drejtësisë, e kuptojnë drejtësinë vetëm nëse ajo është e kapur”.

Në një kohë kur tensionet mes Këshillit Prokurorial (KPK), Këshillit Gjyqësor (KGjK) dhe Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur në kulm si pasojë e mospajtimeve rreth implementimit të vettingut në drejtësi, Selimi ka fajësuar qeverinë për situatën e krijuar.

“Me veprimet e tyre, ajo [qeveria] është duke shkatërruar dy institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, u shpreh Selimi të dielën.

Një nga dhjetëra kallëzimet penale që ka ushtruar zëvendësministri i Drejtisisë, Blerim Sallahu, që prej se u ngjit në pushtet si njeriu i dytë i MD-së, mori epilog final të dielën.

Prokurori special, Milot Krasniqi, njoftoi se kallëzimi penal i ushtruar ndaj ish-ministrit Selimi dhe drejtorit të ShKK-së, Nehat Thaçi, është i pabazuar.

“Po, e kemi trajtu rastin, arsyeja e hudhjes është se veprime e të dyshuarve nuk ka elemente të veprës penale për të cilat është ba kallëzimi penal e as për ndonjë vepër tjetër, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, tha të dielën prokurori Krasniqi për “Betimi për Drejtësi”.

Por, për çka e denoncoi Sallahu, Selimin dhe Thaçin?

Shtatë muaj më parë, zëvendësministri Sallahu njoftoi të ketë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit Selimi dhe drejtorit të ShKK-së, Nehat Thaçi, lidhur me pretendimet për nënshkrimin e një “kontrate kriminale”.

“Sot, njëanshëm kemi anuluar kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithsej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë”, njoftoi Sallahu në Facebook, më 26 prill të këtij viti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera