Lajme

Ish-kancelari Kurz dënohet për dëshmi të rreme

Autori: Gazeta inFokus 21:06 | 23 February 2024

Ish-kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz është dënuar me tetë muaj me kusht për shkak të dëshmive të rreme në hetimin parlamentar për akuzat për korrupsion, raporton Associated Press.

Vendimi i Gjykatës në Vjenë është marrë pas katër muajsh seancash gjyqësore. Ky është rasti i parë në 30 vjetët e fundit që një ish-kancelar austriak ka dalë para drejtësisë.

Rasti u përqendrua në dëshminë e Kurzit në hetimin për koalicionin të cilit i priu nga viti 2017 deri në vitin 2019.

-Advertisement-

Prokurorët e kanë akuzuar 37-vjeçarin se kishte dhënë dëshmi të rreme në qershor të vitit 2020 në lidhje me rolin e tij në krijimin kompanisë OeBAG, e cila zëvendësonte rolin e shtetit në disa kompani, dhe emërimin e ish të besuarit të tij të ngushtë Thomas Schmid në udhëheqjen e saj.

Gjykatësi Michael Radasztics e shpalli Kurz fajtor për deklarata të rreme në lidhje me emërimin e bordit mbikëqyrës të kompanisë, por jo për atë të Schmid.

Dikur yll në rritje mes konservatorëve në Evropë, Kurz dha dorëheqjen në vitin 2021 pasi u hap një hetim i veçantë për korrupsion dhe që atëherë është larguar nga politika. Megjithatë, Partia e tij Popullore Austriake vazhdon të udhëheqë qeverinë nën kancelarin aktual Karl Nehammer.

Partia aktualisht është prapa në sondazhe përpara zgjedhjeve kombëtare që priten në shtator.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival

Të tjera