Fokus

Isa Mustafa mposhtë sëmundjen

Autori: Gazeta inFokus 14:21 | 07 January 2019

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa si duket ka mposhtur sëmundjen me të cilën është përballur tash e një vit.

Përmes një postimi në facebook ai ka sqaruar procedurat nëpër të cilat kaloi gjatë vitit që lamë pas për tu shëruar.

“Sot mbushet një vit i përballjes sime me rehabilitimin shëndetësor. Në mbrëmjen e 7 janarit 2018 sa isha në fshat ndjeva se po humbi fuqinë e duarve dhe këmbëve. Pas 24 orëve në Spitalin Amerikan, dr Blerim Myftiu identifikoi diagnozën e saktë, Sindromin Gulian Barren dhe shkroi terapinë e nevojshme. Në Gjermani ishin të habitur për identifikimi e shpejtë që iu bë nga mjekët kosovar kësaj sëmundjeje shumë të rrallë (një deri dy raste në njëqindmijë banorë)” shkruan Mustafa.

-Advertisement-

Mustafa gjatë gjithë vitit ishte krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, por që asnjëherë nuk e humbi besimin se do ta mposhtë sëmundjen, shkruan gazeta inFokus.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse një periudhë isha krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, kisha kurajo të sfidohem me këtë sëmundje; kisha besim në zotin, në veten time dhe në mjekët se do të rikuperohem. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam pushuar së punuari dhe lexuari. Rikthimi po vjen ngadalë, me rendin e vet” shkruan ai.

Përveç familjes dhe ekipeve mjekësore të cilat u përkujdesën për rikuperimin e tij, Mustafa falënderoi edhe shumë persona të tjerë të cilët gjatë gjithë kohës ishin interesuar për të.

“Falënderoj miqtë, bashkëpunëtorët nga LDK, nga ASHAK, Fakulteti Ekonomik, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë dhe liderët politik shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të cilët më dhanë kurajë gjatë kësaj periudhe. Veçmas falënderoj fqinjët, qytetarët dhe bashkatdhetarët për interesimin e tyre” përfundon shkrimi i tij. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera