Lajme

Isa Mustafa del kundër Arben Gashit: Grenell nuk kërkoi rrëzimin e qeverisë Kurti I

Autori: Gazeta inFokus 16:33 | 11 November 2021

Ish lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kundërshtuar deklaratën e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili para disa ditësh tha se ish emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi u kishte dhënë 7 ditë për të rrëzuar qeverinë Kurti I.

Mustafa e ka mohuar këtë duke thënë se sa ishte ai kryetar i kësaj partie, Richard Grenell nuk i kishte kërkuar asnjëherë rrëzimin e qeverisë Kurti.

Sipas tij nga askush prej SHBA-së nuk kanë pasur kërkesa të tilla e aq më pak afate, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

“Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate. z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe  dialogut”, ka thënë Mustafa.

Ish kryetari i LDK-së ka treguar edhe se çfarë i shkruajti Kurtit në atë kohë, para rrëzimit të qeverisë së përbashkët.

“I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në.  Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria”, ka thënë ai.

Derisa e ka quajtur edhe mendjelehtë Gashin, duke thënë se 7 ditët janë të trilluara.

“Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve. I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së  dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj”, shkruan Mustafa.

Kujtojmë se shefi i GP të LDK-së, Gashi kishte thënë se Grenelli u kishte dhënë një afat prej 7 ditësh që të rrëzohej qeveriNë Kurti I.

“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë”, kishte deklaruar Gashi./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera