Fokus

IPKO ua vështirëson jetën qytetarëve

Autori: Doresa Geci 14:20 | 21 June 2019

Mijëra përdorues të operatorit mobil IPKO në mbarë Kosovën vazhdojnë të kenë probleme me qasjen e tyre në internet dhe thirrjet telefonike.

Edhe pse nga kjo kompani kanë njoftuar se ky problem është rregulluar, një gjë të tillë po del se nuk ka ndodhë në të vërtetë.

Për shkak të problemeve në procesin e kalimit nga kodi i vjetër +386  me vonesë në  kodin e ri +383, konsumatorët e kësaj kompanie, sidomos ata jashtë qytetit të Prishtinës po përballen me veshtirësi të mëdha.

-Advertisement-

Lidhur më këtë Gazeta inFokus ka kërkuar sqarime nga zyrtarët e kompanisë IPKO, por këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Në një njoftim të mëhershëm për medie kanë njoftuar se telashet me internetin janë shfaqur kryesisht te përdoruesit e telefonave të kompanisë Apple, dhe se janë në kontakt me këtë kompani për ta zgjidhur problemin.

Mirëpo, sipas njohësve të teknologjisë, ky problem ka mundur të evitohej sikur të respektohej afati për kalim në kodin e ri të telefonisë.

Për këtë gjendje të kompanisë është e njoftuar edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Operatori na ka njoftuar neve se ka disa probleme teknike te cilat kanë ardhur pas fillimit zbatimit të plot të kodit të +383, dhe janë në proces të zgjidhjes se problemit ne mënyrë sa më të shpejt në bashkëpunim me prodhuesin e telefonit  Appel”, ka thënë Kryetari i Bordit të ARKEP-it,Kreshnik Gashi për gazetën inFokus.

Por sipas tij procesi i implementimit të kodit të telefonisë të ri është kompleks  dhe në këtë rast çështja ka të bëjë me prodhuesin e pajisjes Appel dhe jo me operatorin .

Mirëpo IPKO është një ndër operatorët e fundit që ka bërë kalimin nga kodi i vjetër në të riun.

ARKEP pati dhënë afatin deri 31 tetor 2018 për të gjithë operatoret për kalim në kodin e ri, por ky operator nuk ka zbatuar këtë  afat, dhe deri në qershor të këtij viti nuk ka filluar të bëjë këtë kalim.

Për këtë vonese IPKO është dënuar më 50 mije euro nga ARKEP-i.

“Me qellim të zbatimi sa me të shpejtë të kodit të ri ARKEP nga datat 15 janar të gjithë operatorët janë gjobitur në masën 10 mijë euro në baza mujore” ka thënë Gashi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera