Lajme

Investimet në ushtri/ A është Kosova në rrezik? Flet njohësi i sigurisë së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 03 November 2021

Qeveria ka ndarë 100 milionë euro për ushtrinë e Kosovës për vitin e ardhshëm. Për dallim nga vitet e tjera kjo është shumë më e madhe që i është ndarë Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami për Gazetën Infokus ka thënë se investimi në ushtrinë e Kosovës është çështje thelbësore edhe nuk është çështje politike.

“Investimi në Ushtri të Kosovës nuk është çështje politike, është çështje thelbësore ku forca e sigurisë në Kosovë ka nevojë për aftësimin e saj që në një të ardhme jo të largët ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit dhe në të njëjtën kohë në aspiratat e saj të bëhet pjesë e aleancës veri- atlantike”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Islami për Infokus u shpreh se investimi në ushtrinë e Kosovës nuk paralajmëron asnjë rrezik momental.

“Asgjë nuk ka të bëjë më rreziqet momentale lidhur me Kosovën, nëse rrezikohet apo jo. Çështja e investimit në Ushtrinë e Kosovës është çështje primare e secilit shtet duke pasur parasysh sasinë e mjeteve të ndara, numrin e mjeteve të ndara për ushtrinë, qoftë në rajon edhe më gjerë ku një pjesë bukur e madhe e mjeteve shkojnë për modernizimin dhe aftësimin për mbrojtje dhe siguri të shtetit. E njëjta është duke ndodhur edhe për Kosovën, sepse Ushtria e Kosovës është në formim e sipër, në konsolidimin e saj me të gjitha profilet si dhe në aftësimin profesional të burimeve njerëzore”, ka thënë Islami për Infokus.

Ndër të tjera, njohësi i çështjes së sigurisë theksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë forcë e cila do të prodhojë paqe dhe siguri jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës, duke marr pjesë në vendet paqeruajtëse në botë krahë për krahë me vendet aleate të cilat na kanë ndihmuar për çlirimin e vendit tonë.

Në vitin 2017, për forcën mbrojtëse të Kosovës ishin ndarë 47 milionë e 600 mijë euro. Në vitin 2018 janë ndarë 49 milionë e 700 mijë euro. Në vitin 2019 buxheti për FSK ishte 54 milionë e 500 mijë euro. Në vitin 2020 ishte 65 milionë e 100 mijë euro, kurse në vitin 2021 ishte 63 milionë e 100 mijë euro./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera