Fokus

Intervistë me Korab Sejdiun: Kjo qeveri po kontrabandon vendime, po bënë fotosesione në Bruksel e po e falimenton shtetin

Autori: Valon Rogova 17:01 | 19 January 2019

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, konsideron se vendimi për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës është bërë pa ndonjë analizë të mirëfilltë paraprake.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën inFokus ai thotë se kjo e ka vendosur vendin në një pozitë të palakmueshme, karshi miqve ndërkombëtarë.

Deputeti Sejdiu në këtë intervistë flet edhe për grupin negociatorë që po zhvillon bisedimet me Serbinë.

-Advertisement-

Këtë grup Sejdiu e quan të kontrabanduar në Kuvend, me qëllim që të tentojë të legjitimojë veprimet e dëmshme të Presidentit Hashim Thaçi.

inFokus: Cili është qëndrimi juaj ndaj vendimit të Qeverisë Haradinaj për t’i vënë taksë deri në 100% produkteve serbe?

Korab Sejdiu: Në përgjithësi, unë kam përkrahur gjithmonë qasjen e imponimit të reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, si pasojë e veprimeve destruktive që ajo në baza ditore ndërmerr ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Thënë atë, taksa e vendosur nga Kryeministri, edhe pse detyrimisht e merituar nga Serbia, mënyra se si është bërë nga Qeveria len shumë për të dëshiruar. Për më tepër, mungesa e planifikimit dhe deklaratat e pamatura të Kryeministrit, e kanë futur tani Qeverinë në një dilemë, në mes të heqjes së taksës si pasojë e presionit ndërkombëtarë dhe dobësimit të shtetësisë së Kosovës dhe pozitës negociuese ndaj Serbisë, dhe në anën tjetër, mbajtjes në fuqi të taksës dhe dëmtimit të raporteve të Kosovës me miqtë më të mirë ndërkombëtarë.

inFokus: Po si mor krejt ky vendim?

Korab Sejdiu: Pra, vendimi për imponimin e taksës është bërë pa ndonjë analizë të mirëfilltë paraprake. Thjeshtë, është bërë si tentativë në panikë e kësaj Qeverie për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme të saj, me shpresë se qytetarët harrojnë mëkatet e kësaj Qeverie si rezultat i një veprimi të tillë popullist. Unë, bashkë me disa deputetë të tjerë, kohë më parë kemi kërkuar debat parlamentar lidhur me imponimin e embargos ndaj produkteve Serbe dhe imponimin e sanksioneve politike, mirëpo, fatkeqësisht, kjo kërkesë nuk është futur në agjendë të seancave nga Kryetari i Kuvendit, mirëpo pa ndodhë ky debat, Qeveria ka marrë vendimin për taksën. Në këtë debat parlamentar u planifikua që ne të diskutonim dhe jepnim sugjerime se si të ndërmerren masa të tilla reciproke ndaj Serbisë, dhe do të ishim të unifikuar lidhur me këto veprime. Njëkohësisht, do të kishte koordinim të brendshëm të skenës politike, me që rast do të forconim pozitën e Qeverisë karshi çfarë depresioni nga jashtë. Fatkeqësisht, edhe ky veprim që në esencë është i merituar nga Serbia, është bërë në mënyrë jo të duhur dhe si është e zakonshme me këtë Qeveri, na ka vendosë në këtë pozitë të palakmueshme.

inFokus: Kjo taksë ka zgjuar reagim tek ndërkombëtarët. Madje, SHBA-të, kërkuan që të shfuqizohet ky vendim për disa arsye, njëra ndër to ishte se kjo taksë është vendos pa u konsulltuar me vet SHBA-të?
Korab Sejdiu: Besoj se veç e dhashë një pjesë të shpjegimit më parë, lidhur me këtë çështje. Pra, mungesa e planifkimit dhe koordinimit nga Qeveria lidhur me këtë veprim që është shumë i merituar nga Serbia, por edhe deklaratat spontane dhe të pamatura nga Kryeministri lidhur me këtë çështje, tani ka gjasa ta nxjerrin Kosovën sërish të dobët në skenën ndërkombëtare dhe Serbinë fituese në raport me ne. Dhe fatkeqësisht, ky është vetëm një nga dëmet e shumta përmbajtjesore që kjo Qeveri, shto këtu edhe Presidentin, po ia bëjnë Kosovës dhe shtetësisë së saj.

inFokus: Nisur nga arsyeja që kërkesa e SHBA-së, ka qenë të shfuqizohet kjo taksë pasi që qeveria e Kosovës s’është konsultuar me ta, a nënkupton kjo se ne ende jemi një shtet i dobët, i cili, nuk do të mund të marrë vendim madhor pa u konsultuar me dikë, posaçërisht SHBA-në?

Korab Sejdiu: Jo domosdoshmërisht. Ne jemi shtet i vogël, dhe rrjedhimisht, vendimet tona duhet të jenë të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë. Është e vërtetë që ne tani veç kaluam dekadën e parë të të qenurit shtet i pavarur, dhe si të tillë, duhet gradualisht që vendimet t’i marrim si shtet sovran. Mirëpo, vendimet tona që kanë implikime më të gjëra, detyrimisht që duhet ti bëjmë me konsulta paraprake me miqtë tanë. Ky veprim nuk tregon dobësi, por është pasojë e faktit që jemi shtet i vogël, e ardhmja e të cilit varet shumë nga mbështetja e miqve tanë ndërkombëtarë.

inFokus: Për grupin negociator që po zhvillon bisedimet me Serbinë, cili është qëndrimi juaj?

Korab Sejdiu: Qëndrimi im personal është në përputhje me qëndrimin e opozitës, përkatësisht GP të LDK dhe GP të LVV. Shihet qartë që është themeluar përmes kontrabandimit në Kuvend, me qëllim që të tentojë të legjitimojë veprimet e dëmshme të Presidentit Thaçi ndaj Kosovës, që po i bënë në koordinim me Serbinë. Për më tepër, këtij grupi i mungon prezenca e dy subjekteve kryesore në Kosovës, që përfaqësojnë mbi 60% të popullatës shqiptare, dhe kjo tutje zbehë çfarëdo legjitimiteti që pretendojnë ta kenë. Rrjedhimisht, ky ekip ka qenë dhe mbetet një ekskursion shopingu dhe fotosesionesh në Bruksel, përderisa Presidenti Thaçi pa prezencën e tyre dhe pas dyerve të mbyllura vazhdon t’i jep koncesione Serbisë që i shkaktojnë dëme të pariparueshme Kosovës.

inFokus: Ka patur zëra se, këtij grupi, do t’duhej t’i bashkoheshin LDK-ja dhe Vetëvendosje, cili është opinioni juaj?

Korab Sejdiu: Skena politike do të duhej të ishte tërësisht e unifikuar dhe prezent në çfarëdo çështje me rëndësi kombëtare, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë. Mirëpo, në rastin konkret, kur ke një President që në kundërshtim me Kushtetutën ka kidnapuar procesin jotransparent të dialogimit me Serbinë, dhe një Kuvend që si pasojë e shumë ndodhive ka humbur rolin përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, atëherë, çka do të duhej është që fillimisht të ketë zgjedhje parlamentare. Si rezultat, do të ndodhte një rikonfigurim i skenës politike që përfaqësohet në Kuvend, në përputhje me vullnetin qytetar. Tek atëherë, do të prekeshin kushtet që të gjithë të ishin prezent në procesin e dialogut me Serbinë, sipas hises që iu takon, përfshirë këtu edhe këto dy subjekte kryesore dhe më të mëdha në vend.

inFokus: Në pikëpamjen tuaj, cili është vlerësimi për punën e qeverisë Haradinaj deri në këtë periudhë kohore?

Korab Sejdiu: Do të na duhej një kohë e gjatë të numërohen të gjitha skandalet që kjo Qeveri ka bërë pothuajse në baza ditore. Në fakt, ndoshta edhe ju kujtohet, si kam thënë edhe në fillim të mandatit kësaj legjislature, kjo Qeveri nuk është dashtë të themelohet fare. Fatkeqësisht, me ndihmën e Vuçiqit përmes Listës Serbe, ajo u formua. Dhe me dhimbje them se parashikimet që kam pasur lidhur me këtë Qeveri, po dalin të sakta. Kjo Qeveri po e falimenton shtetin, ka krijuar kriza të papara sociale, ka zmadhuar në mënyrë eksponenciale korrupsionin dhe nepotizmin në shtet, ka lejuar dhe ka marrë pjesë në zaptimin e shtetit nga krimi, po abuzon në baza ditore me qytetarët, po shkatërron shtetësinë e Kosovës, e kështu me rradhë. Prandaj, i vetmi vlerësim që mund të jepet është se sa më parë që bie, aq më mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

inFokus: A duhet të shkoj vendi në zgjedhje të parakohshme apo duhet që kjo qeveri me e qoj mandatin deri në fund?

Korab Sejdiu: Siç edhe e thashë më parë, çdo ditë që vendi kalon nën thundrat e kësaj Qeverie, është mundësi për dëme shtesë që do t’i shkaktohen vendit. Nëse kjo qeveri e qon mandatin deri në fund, gjasat janë që Kosovës do t’i shkaktohen dëme që qeveritë e ardhshme nuk do të mund t’i riparojnë. Dhe po flasë për dëme në sferën ndërkombëtare, ashtu edhe brenda vendit. Prandaj, zgjedhjet janë jo vetëm të domosdoshme por ato, duhen të mbahen sa më parë që është e mundur për ta ndërprerë këtë tragjedi që është duke i ndodh vendit tonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera