Lajme

Intervistë me Adea Batushën – Jeta e saj brenda mureve dhe rezistenca ndaj pushtetit

Autori: Gazeta inFokus 12:14 | 09 August 2017

Adea Batusha ishte kandidatja më e re nga radhët e Vetëvendosjes për deputete të Kuvendit të Kosovës.

Aktivistja e Vetëvendosjes është e diplomuar në filozofi, dhe aktualisht po qëndron në arrest shtëpiak që prej pothuajse një vit me dyshimin për “sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës” bashkë me tre aktivistë të tjerë, shkruan Infokusi.com

Batusha po përballët me një luftë me pushtetin përbrenda shtëpisë se saj, akuzat e të cilit i mohon kategorikisht.

-Advertisement-

Në një interviste të dhënë ekskluzivisht për Infokusin, Batusha tregon për rrugën e saj drejtë kandidimit për deputete, jetën e saj për pothuajse një vit përbrenda mureve të shtëpisë, zvarritjen e saj dhe aktivisteve të tjerë të Vetëvendosjes nëpër burgje dhe gjykata,  formësimin e bindjeve të saja politike, rezistencën ndaj pushtetit si dhe për një kandidim tjetër të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme.

INFOKUSI: Arsyeja pse keni hyrë drejtë rrugës së Politikës? Cilat do të ishin disa nga pikat që ju do ti qaseshit me më prioritet po që se do të arrinit votat e deputetës?  

Adea Batusha: Të qenit e përfshirë në politikë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh pjesë e institucioneve. Si të gjithë aktivistët, ne punojmë që Kosova të jetë i shtet i mirëfilltë, me mirëqenie e barazi, me ekonomi të zhvilluar e kufij nën kontroll, pra për një shtet sovran. Institucionet shtetërore ashtu siç është Kuvendi duhet të shihet si një mjet për ta mundësuar këtë Kosovë.

Përbrenda Kuvendit natyrisht se profilizimi është i pashmangshëm, dhe besoj që për mua do të ishte shumë e rëndësishme që të përqendrohesha tek arsimi si një fushë jashtëzakonisht e lënë anash. Shkollat dhe universitetet tona prodhojnë çdo vit sasi e jo cilësi si pasojë e korrupsionit dhe nepotizmit. Kjo na përsëritet si një rreth vicioz, ne nuk prodhojmë vetëm studentë të pa aftë por edhe mësimdhënës të tillë, gjë që vetëm e thellon spiralen e së keqes.

INFOKUSI: Si është jeta juaj përbrenda mureve, a po ju bënë kjo gjendje që të revoltoheni edhe me tepër kundër këtij pushteti?

Adea Batusha: Më 28 gusht bëhen 1 vit prej se unë dhe 3 aktivistët tjerë mbahemi padrejtësisht në arrest shtëpiak, pa asnjë fakt apo dëshmi. Ky vit ndonëse ka qenë jo i lehtë, është vështirësuar edhe më për shkak humbjes së shokut e bashkaktivistit tonë, Astritit. 9 muaj më vonë ende nuk ka drejtësi për të, e ç’është me e keqja kriminelët e ‘Klanit Pronto’ vazhdojnë ta përmendin emrin e tij nën akuzat më të neveritshme.

Ne mund të jemi përbrenda mureve, por fatkeqësia më e madhe është që të gjithë të rinjtë e të rejat përballen me këtë izolim, i vetmi dallim është që ata mund të dalin nga shtëpia. Përndryshe rinia jonë ballafaqohet me mure nga të gjitha anët, si për të gjetur punë ashtu dhe për të udhëtuar e studiuar jashtë vendit. Andaj revolta jonë është rritur jo përse jemi të prekur individualisht nga ky rast po për shkak se ne nuk dallojmë shumë nga të tjerët që janë jashtë shtëpive.

INFOKUSI: A mendoni se zvarritja nëpër gjykata dhe burgje ka për qëllim që pushtetarët ti frikësojnë të rinjtë të tjerë në rast të revoltimit?

Adea Batusha: Po, kjo është evidente. Pushtetet kriminale e përdorin këtë metodë historikisht. Në rastin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kjo metodë ka dështuar në mënyrë spektakulare meqë lëvizja jonë vetëm sa po rritet në mënyrë ta pandalshme. Në zgjedhjet e fundit kemi dalur subjekti i parë në vend ngase qytetarët e kanë kuptuar që shpresa e vetme në Kosovë jemi ne. Besoj që edhe rasti jonë ka ndikuar që qytetarëve t’iu qartësohet që ‘Klani Pronto’ bën gjithçka vetëm për ta mbajtur pushtetin e tyre të paprekur. Por, siç po shihet ndikimi i tyre në shoqëri vetëm sa po zbehet nga dita në ditë.

INFOKUSI: A ka ndikuar kjo kohë sa keni qëndruar në arrest shtëpiak që të formësoni akoma më shumë bindjet e juaja politike?

Adea Batusha: Bindjet e mija politike kanë qenë të qarta edhe para arrestimit. Por kjo kohë e gjatë ka ndikuar vetëm në kthjelltësimin e thellimin e tyre. Koha të cilën unë dhe 3 aktivistët tjerë kemi pasur në dispozicion vetëm sa na ka bërë më të gatshëm për t’u kthyer në betejat e reja.

INFOKUSI: Kjo rezistencë e juaja, a po fortesën akoma më shumë lidhjet e juaja me VV dhe cilat janë planet e juaja pas lirimit nga arresti shtëpiak?

Adea Batusha: Gjatë këtij viti unë kam vazhduar të ndihmojë aq sa kam mundur  Lëvizjen nga shtëpia, dhe patjetër që ashtu do të veprojë edhe kur të lirohem siç kam bërë edhe para arrestimit.

INFOKUSI: A do të këtë edhe një kandidim tjetër për deputete në zgjedhjet e ardhshme?

Adea Batusha: Kësaj radhe Lëvizja ka kërkuar që unë dhe 3 aktivistët tjerë të jemi pjesë e listës së kandidatëve për deputet. Besojmë që ky ka qenë vendim i duhur, meqenëse tanimë kemi Frashërin i cili është zgjedhur si deputet, aktivist i cili do t’i përfaqësoj denjësisht votuesit e tij. Vota ndaj Frashërit ka qenë votë proteste ndaj padrejtësive në Kosovë. Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme dhe kandidimit tim kjo poashtu do të jetë vendim i cili bëhet në koordinim me Lëvizjen./Infokusi.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera