Kulturë

Intervistë| Ferdi Kamberi tregon se cilat janë “Dilemat e Tranzicionit” në Kosovë

Autori: Doresa Geci 15:50 | 25 October 2019

Drogat, vetëvrasjet, ngacmimet seksuale e kriza e vlerave shoqërore janë vetëm disa nga problemet e fenomenet e shoqërisë në Kosovë.

Në pesë kapituj të një libri, sociologu Ferdi Kamberi, ka përmbledhur të gjitha “Dilemat e Tranzicionit”. Kështu edhe e ka emëruar librin e tij më të ri për të cilin flet në detaje në një intervistë për Gazetën inFokus.

Ai është PhD. kandidat në Universitetin e Prishtinës në degën e Sociologjisë dhe anëtar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës.  Ferdi Kamberi është edhe autor i librit ‘Fundamentalizmi i Religjioneve të Mëdha Monoteiste dhe Globalizmit’. Është po ashtu autor dhe bashkëautor i disa botimeve shkencore me impakt faktorë në revistat ndërkombëtare dhe rajonale.

-Advertisement-

Më gjerësisht mund të lexoni intervistën më poshtë.

inFokus: Libri juaj ndahet në pesë kapituj, në të parin përmenden tema mjaftë aktuale në një botë çdo ditë e më shumë dinamike por me shumë problem sociale. Ju në këtë kapitull keni prekur tema si modestia, arroganca, ngacimi seksual a mund të na flisni më në thellësi për këto fenomene?

 

Kamberi: Libri “Dilemat e tranzicionit” është një përmbledhje e eseve sociologjike të cilat përfshijnë një konglomerat të temave të cilat janë mjaftë aktuale në mjedisin tonë social. Libri përmban 5 kapituj dhe është libri im i dytë. Libri është përkrahur pjesërisht nga komuna e Prishtinës (drejtoria për kulturë dhe rini), redaktorë është Arsim Murseli dhe është botuar nga shtëpia botuese Artini në Prishtinë. Recensentët: Ermir Hoxha, Ilire Zajmi Rugova, Avni Rudaku, Imran Rasimi

Ndër esetë e këtij libri padyshim se është edhe raporti i modestisë me arrogancën dhe ngacmimi seksual, fenomene këto të cilat gjejnë një hapësirë të konsiderueshme në mjediset tona sociale. E para ka të bëjë me veçoritë/karakteristikat e individit për shkak se si modestia po ashtu edhe arroganca janë pjesë e individit dhe si të tilla reflektojnë edhe në familje, komunitet dhe në përgjithësi në shoqëri. Modestët, në pjesën më të madhe të rasteve janë ata/ato që arrijnë sukses më të madh në përmasat e pranueshmërisë, empatisë, përkatësisë, intimitetit dhe mirënjohjes dhe kanë marrëdhënie më të qëndrueshme ndërpersonale. Ndërsa, Arroganca mund të kuptohet si një përbuzje ose fyerje që bëhet ndaj dikujt tjetër. Ajo manifestohet kryesisht përmes qëndrimeve, shprehjeve verbale apo edhe sjelljes së një individi ndaj individit tjetër. Arroganca, është një qëndrim superioriteti që shfaqet në një mënyrë mbizotëruese ose nëpretendime ose supozime të supozuara. Andaj, marrë parasysh faktin që shoqëria bashkëkohore (shqiptare) ka pësuar disa ndryshime si në strukturë të familjes po ashtu edhe në atë të shoqërisë, vërehet se shpeshherë arroganca si tipar determinon në shoqëri dhe si e tillë mund të dëmtojë relacionet në mes të individit dhe shoqërisë dhe të shndërron shoqërinë në një shoqëri individualiste.

 

Ndërsa, sa i përket temës së ngacmimit seksual, mund të thuhet se është një prej temave më të rëndësishme të trajtuar në këtë libër. Ky fenomen edhe pse daton qysh herët tek shoqërinë jonë, së fundi është shndërruar në një fenomen mjaftë të përhapur të cilin e gjejmë pothuajse çdo kund si në hapësirat publike po ashtu edhe në institucionet publike dhe ato private. Ai ka të bëjë me sjelljen e padëshirueshme të natyrës seksuale që personat (qofshin meshkuj apo femra) i bën të ndihen të pakëndshëm, të frikësuar apo të pafuqishëm. Për këtë qëllim, ne kemi trajtuar disa studime për këtë çështje të cilat janë bërë, bazën ligjore, shpjegimet ontologjike mbi këtë fenomen, si dhe shumë çështje të tjera të cilat apriori ndërlidhen me këtë fenomen. Ngacmimi seksual mund të shfaqet edhe si rezultat i portretizimit të gruas si objekt seksual, por edhe si rezultatet i shumë faktorëve të tjerë. Disa nga format e saj janë: ngacmimi seksual verbal, ngacmimi seksual jo verbal, ngacmimi seksual fizik, e të tjera. Gjithashtu, libri trajton edhe studimet dhe aplikacionin e organizatës Kosovo 2.0 e cila ka lansuar një aplikacion për të raportuar këtë fenomen social.    

 

inFokus: Keni qenë thellësisht kritik ndaj fenomeneve të dukurive negative në Kosovë si abuzimi me droga, vetëvrasjet, si dhe shumë pengesa sipas juve në zhvillimin intelektual pse pikërisht kjo indinjatë e juaja në këtë libër?

 

Kamberi: Kapitulli i dytë i librit që ka të bëjë me trendët negative në shoqëri, shtjellon dhe analizon pikërisht këto tema, të cilat janë mjaftë të përhapura në shoqërinë kosovare. Këto tema janë përcjellë në një kohë të gjatë, janë vrojtuar, janë analizuar dhe janë shtjelluar në këtë libër. Fenomenet në fjalë janë sfidë për shoqërinë sepse të dhënat të cilat i kemi paraqitur në libër flasin mbi 6000 përdorues të rregullt të drogës dhe me mbi 20.000 përdorues pasiv, gjë që për numrin e banorëve në Kosovë është mjaftë numër i lartë. Ndërsa, fenomeni tjetër i vetëvrasjes është fenomen i cili po ashtu është në rritje dhe të dhënat të cilat i kemi paraqitur, duke përfshirë këtu shkaqet dhe pasojat del se rreth 65 persona brenda vitit përfundojnë në vetëvrasje, gjë që është tejet shqetësuese për shoqërinë dhe për institucionet kosovare. Prandaj, këto fenomene dhe fenomene të ngjashme të cilat i kemi paraqitur në këtë libër janë edhe një letërnjoftim për qytetarët, shoqërinë, komunitetin dhe institucionet tjera të vendit, që të marrin masa adekuate në preventivën ose minimizimin e tyre për shkak se do të kemi pasoja në të ardhmen e afërte. Libri njëherit është thirrje në ndihmë të gjithë akterëve të cilët mund të japin kontribut mbi këtë problematikë sociale e cila atakon drejtpërdrejti shoqërinë kosovare.

 

inFokus: Teknologjia dhe media, përdorimi i rrjeteve sociale është një fenomen mbarë global, si e keni trajtuar ju këtë fakt në prizmën tuaj?

 

Kamberi: Sipas Francis Bacon, mediet konsiderohen si pushtet i katërt pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të cilat kanë një ndikim të lartë në edukimin (qoftë pozitiv apo negativ të shoqërisë). Në anën tjetër, teknologjia informative ka arritur pothuajse në piedestalet më të larta të shoqërisë dhe ka bërë që edhe mediat të masivizojnë komunikimin me publikun, duke krijuar kështu një komunikim masiv. Duke marrë parasysh trendët e globalizimit, ndikimin e teknologjisë informative sidomos tek të rinjtë kosovarë, të cilët shfrytëzojnë internetin diku rreth 80%, si dhe faktorë të tjerë, kemi parë të arsyeshme që të përmbledhim edhe një kapitull të veçantë për mediet, teknologjinë informative, fake neës-in, raportin në mes të individit dhe shkopit magjik, raportet në mes të medieve të shkruara dhe atyre elektronike, si dhe çështje tjera të cilat në një ose tjetrën mënyrë reflektojnë tek qytetarët. Sot, si në vendet e zhvilluara po ashtu edhe në Kosovë më shumë fenomeni i fake neës-it është në rritje dhe si i tillë po paraqet sfida të veçantë manipulimi me masën (publikun). Madje, për këtë qëllim shumë vende të BE-së kanë krijuar legjislacion të veçantë më sanksionimin e medieve apo individëve të cilët shfaqin lajme të tillë për shkak se kanë ndikuar dukshëm në rritjen e populizmit. Edhe në Kosovë, kemi qenë dëshmitarë që shumë herë qytetarët kanë ra pre e fake neës-it dhe për këtë qëllim ne kemi analizuar disa nga shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni të cilat mund të gjenden në libër. Libri po ashtu trajton edhe tema të tjera të komunikimit masiv të cilat plotësojnë ndoshta një boshllëk i cili aktualisht mungon në këtë drejtim, sidomos nga prizmi i dioptrisë sociologjike. 

 

inFokus: Ju keni realizuar një hulumtim empirik, pse në Kosovë kultura e leximit nuk është prezente, apo të mos gjykojmë, çfarë keni gjetur ju në këto hulumtime që i keni kthyer në libër?

 

Kamberi: Në kuadër të këtij libri kemi përmbledhur edhe një ese e cila fokusohet tek kultura e të lexuarit në Kosovë. Në këtë drejtim, ne kemi zhvilluar një hulumtim empirik me 550 respodentë nga viti 2017 deri në vitin 2018 në 7 rajonet e Kosovës dhe kemi parë që rreth 70% e tyre janë shprehur se lexohet pak, 27% mesatarisht dhe 3% kanë refuzuar ose nuk e di. Në këtë hulumtim shfaqen edhe disa faktorë të cilët kanë ndikuar që leximi mos të jetë adekuatë ose të jetë kalimthi ndër to: mungesa e kohës, ndikimi i medieve sociale, çmimet e larta të librit në raport me standardin tonë jetësor, kultura e leximit, si dhe çështje të tjera, të cilat mund të gjenden në libër. Eseja përmbledhë edhe librat më të pëlqyer të respodentëve të cilët nëse krahasojmë me vendet tjera del se nuk jemi aq larg, kjo ndoshta edhe si rezultat i përkthimeve të librave të cilat janë bërë. Ky studim ka treguar se disa nga librat më të preferuar të qytetarëve janë: Charles Bukoëski – Gratë, Christina Lamb – Unë jama Mala, Leo Tolstoy – Ana Karenina, Emine Seniloglu – Maria, George Orëell – Ferma e Kafshëve, Ismail Kadare – Prilli i Thyer, Albatros Rexhaj – Zonja Z, etj. Në anën tjetër, disa nga preokupimet e qytetarëve janë se ka mungesë të këndeve të leximit në hapësirat publike, si dhe mungesë të bibliotekave, etj. Prandaj, përmbledhja e këtij studimi në libër paraqet një vlerë të madhe për kulturën e leximit në Kosovë, pasi që deri më tani nuk kemi hasur që është bërë ndonjë studim i tillë të paktën ndonjë studim sociologjik. Kjo njëherit ngacmon lexuesin që të reflekton dhe të lexon edhe zhanre të tjera nga të cilat njeriu dhe shoqëria mund të përfitojnë në aspektin e edukimit dhe ngritjes së personalitetit.

 

inFokus: Po demokracia, pushteti?

 

Kamberi: Kapitulli i katërt i librit fokus ka raportin e demokracisë dhe pushtetit, duke u fokusuar edhe në aspektin e vendimmarrjes lokale në Kosovë. Ky kapitull flet më shumë mbi hipotezat se politika a mund të ketë moral dhe si shihet sot pushteti nga syri i qytetarëve. Në fakt edhe ese paraqet një perceptim të realitetit gjithëshoqëror, duke e perceptuar demokracinë si instrument për të arritur në pushtet.

 

inFokus: Shpirtërorja(feja, besimi), me fiziken(individin), gjithmonë në nënqiellin shqiptar si i referoheni ju, kanë qenë të begata sa edhe interesante për studim. Këtij labirinthi nuk keni mundur t’i ikni as ju, ku ju ka dërguar studimi i kësaj shumësie të rrugëve dhe marrëdhënieve individ- religjion – shoqëri?

 

Kamberi: Kapitulli i pestë dhe i fundit në libër paraqet esetë të cilat ndërlidhen ngushtë me raportin në mes të sekulares dhe post sekulares, fundamentalizmin fetar, ekstremizmin, procesin e konvertimit, si dhe raportin në mes të religjionit dhe konfliktit, duke ardhur në përfundim se shpeshherë religjioni është përdorur si instrument nga pushteti për instrumentalizimin e dhunës dhe shpërfaqjen e konflikteve. Andaj, ky kapitull përveç tjerash flet edhe për rolin e fesë në Kosovë, tipologjinë e religjioneve që nga fillimi deri më sot, (keq) kuptimet që iu bëhen sot laizmit, si çështje të tjera. Hipotezat e ngritura në libër fokusohen në raportin në mes të individit, religjiozes dhe shoqërisë, duke shpjeguar sociologjikisht rolin e sociologjisë në raport me religjionin dhe shoqërinë në njërën anë dhe në anën tjetër, problemet me ekstremizmin fetar, islamo-fobinë, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.

 

inFokus: Për fund, pse duhet ta kemi në raftin e librave të preferuara, “Dilemat e Tranzicionit”?

 

Kamberi: Sociologjia si shkencë që nga fillimi e deri më sot ka evoluar dukshëm dhe si e tilla tani më ajo është shndërruar një studim ndoshta mikro-sociologjik, duke u fokusuar në tema dhe fenomene të veçanta. Në këtë kontekst, në platformën shqiptare deri më tani kanë munguar tituj të cilët zgjojnë kureshtjen mbi fenomene sociale me të cilat çdo ditë po jetojmë dhe po i hasim në mjediset tona sociale. Kështu, edhe ky libër mundohet që mbush një boshllëk i cili ndoshta ka munguar në literaturën dhe diskursin social tek shqiptarët. Libri është një letërnjoftim për të gjithë ata/ato të cilët dëshirojnë që të kenë një diapazon më të gjerë mbi fenomenet e ndryshme sociale tek shqiptarët, problemet, sfidat dhe rrugët alternative mbi zgjidhjen ose minimizimin e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera