Fokus

Intervistë ekskluzive e Sava Janjiq për Infokus – Rruga, Manastiri e shkëmbimi i territoreve

Autori: Halil Berisha 16:00 | 31 August 2020

Ditëve të fundit krahas takimit të paralajmëruar njëherë për 2 e më pastaj për 4 shtator në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, temë ishte edhe një rrugë që po ndërtohet në Kosovë.

Fjala është për atë Deçan – Plavë, për të cilën folën edhe liderë serbë e kosovarë, shkruan gazeta Infokus.

Fillimisht ishte Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që kërkoi ndërprerjen e saj e më pastaj një gjë e tillë u urdhërua edhe nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

-Advertisement-

Kjo pavarësisht kundërshtive që i dha Bashkim Ramosaj, Kryetari i Deçanit, shkruan gazeta Infokus.

Arsye për ndërprerjen e kësaj rruge ishte pasi u tha që ajo po kalon nëpër pronën e Manastirit të Deçanit dhe po e rrezikon atë.

Gazeta Infokus ka realizuar një intervistë me Patriarkun e këtij Manastirit, Sava Janjiq, ku është diskutuar jo veç për rrugën por edhe për marrëveshjen finale të Kosovës me Serbinë.

Problemet e rrugës Deçan – Plavë, pse po kundërshtohet nga serbët?

Janjiq ka treguar për Infokus pse kjo rrugë që ka filluar të ndërtohet u kundërshtua nga Manastiri dhe shteti serb.

Janjiq po thotë që problemi nuk është rruga, pasi ajo edhe është e nevojshme, por sipas tij krejt telashja është tek dëmi që kjo mund t’i sjell manastirit.

Infokus: Pse nuk po ndërtohet rruga Deçan – Plavë dhe çfarë dëmi i sjell Manastirit ndërtimi i kësaj rruge?

Sava Janjiq: “Rruga Deçan – Plavë siç është e planifikuar në projektin aktual është një rrugë kryesore ndërkombëtare që dërgon në Mal të Zi dhe më tej në Shqipëri.

Ndërtimi i rrugëve të tilla përmes zonave të mbrojtura speciale është rreptësisht i ndaluar nga ligji i Kosovës edhe nëse Manastiri nuk e kundërshton atë.

Ne jemi shumë të shqetësuar që ndërtimi i kësaj rruge përmes zonës së mbrojtur do të rrisë nivelin e trafikut, veçanërisht atij të rëndë, gjë që do të ndikonte ndë statikën e Kishës e cila është shumë afër rrugës, në të njëjtën kohë edhe ndotja e zhurma do të ndikonte në natyrë, kjo veçanërisht për faktin se ekziston një mjedis unik natyror.

Kjo është arsyeja pse ne jemi duke kërkuar që të respektohet ligji dhe nëse Qeveria e Kosovës dhe komuna bien dakord të ndërtojnë një anashkalim rreth zonës së mbrojtur, në përputhje me projektin e Qeverisë së Kosovës të vitit 2014, kur u ndërtuan disa kilometra “bypass”.

E kjo mbështetet gjithashtu nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje brenda kornizës ligjore. Përndryshe, nëse bëhet një “bypass”, nuk kemi asgjë kundër ndërtimit të një rruge sepse njerëzit dhe territoret duhet të lidhen”

Infokus: A është e vërtetë që një murg shqiptar jeton në Manastirin e Deçanit?

Sava Janjiq: “Jo, nuk kemi asnjë murg shqiptar në Manastirin tonë. Kemi një murg amerikan dhe një italian, por shpesh na vizitojnë shqiptar nga Shqipëria. Ka shumë vizitorë nga krejt bota, natyrisht kjo përveç adhuruesve të kishës sonë.

Në kohë normale vijnë shumë turistë, por tash jemi në një periudhë specifike ku po përballemi me pandeminë dhe ka shumë më pak vizitorë, sepse edhe po u përmbahemi masave mbrojtëse shëndetësore dhe njerëzit udhëtojnë më pak”.

Marrëveshja finale me Serbinë dhe shkëmbimi i territoreve

Veç punës së Manastirit dhe rrugës Deçan – Plavë, Infokus me Sava Janjiq diskutoi edhe për punën e përmendjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo edhe për të shumë përmendurën shkëmbimin e territoreve, ku së fundmi ishte Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili deklaroi se kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në Ristovc, shkruan gazeta Infokus.

Kjo duke marrë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën dhe duke i dhënë Serbisë Leposaviqin dhe 17 fshatra të tij.

Infokus: Ju reaguat për idenë e Lutfi Hazirit për të ndryshuar kufijtë, cili është propozimi juaj?

Sava Janjiq: “Dy vite më parë, e bëra të qartë se ndryshimi i kufijve mbi baza etnike në rrethanat aktuale do të çonte në krijimin e territoreve etnike të pastruara, të shoqëruara me gjasë nga emigrim i popullsisë por edhe dhunë.

Këso idesh shkaktuan katastrofë të madhe në të kaluarën, në luftërat e ish-Jugosllavisë dhe thjeshtë nuk duhet të jetë pjesë e dialogut.

Unë gjithmonë kam mbrojtjur atë që dialogu duhet të vazhdoj hap pas hapi duke pasur primare sundimin e ligjit dhe përmirësimin e ekonomisë.

Të rinjtë, si shqiptarë ashtu edhe serbë, jetojnë normal në shoqëritë multietnike në perëndim dhe unë nuk mund të pranoj që këtu nuk është e mundur.

Unë vet jam rritur në një familje të përzier serbo-kroate dhe kam shumë miq boshnjakë, myslimanë dhe njerëz të kombeve dhe feve të tjera.

Rrëfimi i nacionalizmit të viteve të 90-ta duhet të tejkalohet dhe jeta e përbashkët e të gjithë qytetarëve, pavarësisht fesë dhe kombit, duhet të ndërtohet mbi sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të popullatës jo-shumicë.

Veç zgjidhje të bazuara në themele të tilla mund të na çojnë në një të ardhme evropiane”.

Infokus: Cila është alternativa juaj për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Sava Janjiq: “Unë nuk jam politikan dhe nuk mund të jap një formulë për zgjidhje për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Unë e di veç se nëse arrihet një marrëveshje, ajo duhet të jetë e atillë që të mundësojë një jetë normale dhe të sigurtë për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë flasin dhe si i luten Zotit, që trashëgimia kulturore e të gjithë popujve të mbrohet dhe respektohet në mënyrë të duhur e të mësojmë nga gabimet e së kaluarës, që mos t’i bëjmë në të ardhmen”./Gazeta Infokus/

Lexo edhe:

Sava Janjiq për marrëveshjen finale: Të mësojmë nga gabimet që të mos përsëriten

Pse u kërkua pezullimi i punëve Deçan – Plavë, flet për Infokus Sava Janjiq

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera