Sport

Intervista e Majlinda Kelmendit për gazetën katalane: Shpresoj që Spanja ta njohë Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 17:13 | 29 June 2018

Majlinda Kelmendi kthehet në fokusin e mediave evropiane.

Kampionia e madhe e Kosovës në xhudo, ka dhënë një intervistë për të përditshmen katalane L’Esportiu, ku ka folur për karrierën dhe arritjet e saj të deritashme.

Por, ajo ka përmendur edhe çështjet politike që i kanë shkaktuar pengesa në rrugëtimin e saj drejt suksesit.

“Mëkat që jam e lënduar, shpresoj të rikthehem pas një muaji dhe të marrë pjesë në garën e radhës në Gjermani, që do të më ndihmonte të kthehem në formën ideale fizike”, u shpreh ajo.

-Advertisement-

“Pastaj, shpresoj të kthehem në nivelin më të mirë dhe t’i synoj medaljet e arta”, shtoi Majlinda.

Xhudistja pejane është e vetëdijshme për rëndësinë e saj tek sportistët e rinj në Kosovë.

“Po, shumë, dhe më vjen mirë. Kam marrë pjesë në gara të ndryshme evropiane dhe botërore, andaj mund t’i mësoj ata se si duhet të luftojmë e po ashtu edhe të merren me nervat dhe presionin”, u shpreh ajo, përcjell lajmi.net

Ndikim të madh tek karriera e Majlindës pati pa dyshim edhe trajneri Driton Kuka.

“Është shumë me rëndësi, ai është trajneri im nga mosha 8 vjeçe. Kemi një raport të lidhjes së ngushtë dhe e kuptojmë shumë mirë njëri tjetrin”, theksoi Majlinda.

“L’Esportiu” e ka pyetur edhe për mosnjohjen e Kosovës nga Spanja.

“Nuk është se jam e interesuar për çështje politike por në fund ju e kuptoni se janë të lidhura me njëra tjetrën. Në fakt, mund të bëj më shumë për vendin tim se sa politikat, dhe jam shumë e lumtur të ndihmoj në mënyrën time”, tha ajo.

“Garoj me flamurin tim, e dëgjoj himnin, më bën të ndihem mirë. Jam e bindur se njerëzit në Spanjë janë pozitiv, mbështesin kauzat si e jona dhe mbështesin popullin tonë. Të gjithë jemi njerëz, solidariteti është mbi politikën. Andaj, mendoj se së shpejti Kosova do të fitojë edhe njohjen nga Spanja”, theksoi Majlinda.

“E di se edhe Katalonia ka një status të ngjashëm. Ne këtu ndihemi të trajtuar mirë, kemi mbështetje të madhe dhe është gjë pozitive”, përfundoi ajo.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera