Lajme

Integrimi në BE, McAllister: Gjithçka varet nga Ballkani

Autori: Gazeta inFokus 08:47 | 13 July 2017

BE është i gatshëm e me vullnet, megjithë problemet që ka, t’i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një Ballkan i stabilizuar sjell stabilitet në të gjithë Evropën, thotë eurodeputeti David McAllister për DW.

Deutsche Welle: Ekonomia në shtetet e Ballkanit Perëndimor po zhvillohet mjaft pozitivisht, megjithëse kuota e papunësisë me 20 për qind vazhdon të jetë shumë e lartë. Si mund të ndihmojë Bashkimi Evropian me perspektivën e tij të anëtarësimit?

David McAllister: BE do që t’i mbështesë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të gjashta kanë një perspektivë të qartë evropiane dhe ne duam ta nxisim integrimin. Shtetet po i afrohen BE me shpejtësi të ndryshme. Mali i Zi është sigurisht pararendësi për momentin. Serbia po bën përparime. Por ne duam që të gjashta shtetet t’i përmbahen kësaj rruge, sepse ka një gjë që ne e dimë shumë saktë këtu në Bruksel: stabilitet në Ballkan do të thotë stabilitet për të gjithë Evropën. Ne duam të eksportojmë stabilitet në rajon. Po të mos e arrijmë këtë, atëherë mungesa e atjeshme e stabilitetit mund të vijë tek ne.

-Advertisement-

A bëhet fjalë këtu, e thënë troç, vetëm për para, për të ashtuquajturat ndihma të para anëtarësimit? Ose cili është thelbi?

Natyrisht që ndihma financiare ka rëndësi jetësore. Ne i shpenzojmë paratë, në mënyrë që këto vende të jenë në gjendje të anëtarësohen në BE. Bëhet fjalë për vende të reja pune dhe për rritje ekonomike. Bëhet fjalë për infrastrukturë dhe arsim. Ne duhet të ofrojmë një cilësi të mirë jetese në qytet dhe në hapësirën rurale. Natyrisht bëhet fjalë për para, por nuk është vetëm kjo. Ne duam të bëjmë edhe të qartë që një anëtarësim në BE të ketë efekt pozitiv te sipërmarrjet dhe shoqëria. Por anëtarësimi në BE është edhe punë e rëndë.

Ekziston shumë zhgënjim tek njerëzit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sepse afrimi me BE dhe procedurat e anëtarësimit po zgjat që prej 17 vjetësh. Kur do të marrë fund pritja?

Në vitin 2013, kur Kroacia u bë anëtare e BE ne pamë se vende, që kanë bërë pjesë në ish-Jugosllavi, kanë mundësi që të anëtarësohen në BE. Mendimi im është se një vend, që mbështet vlerat tona dhe që kalon një proces shumë të ndërlikuar anëtarësimi, do të hyjë në BE, sapo të jetë me të vërtetë gati. Pra në radhë të parë varet nga shtetet kandidate, si do të avancojnë punët. Ne po shohim përparime. Mali i Zi negocion për 20 nga 39 kapitujt e anëtarësimit. Serbia ka 10 kapituj të hapur. Po të eci gjithçka pa probleme, Shqipëria mund të nisë ndoshta vitin e ardhshëm bisedimet zyrtare të anëtarësimit. Tri shtetet e tjera, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë pak më mbrapa, por kanë një perspektivë të mirë.

A është i gatshëm për anëtarësim Bashkimi Evropian?

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e bëri të qartë se në këtë legjislaturë (deri në qershor 2019) ne nuk do të pranojmë asnjë vend. Por kjo ishte edhe e qartë, sepse BE është ende duke përpunuar zgjerimet e viteve 2004, 2007 dhe 2013. Në parim Bashkimi Evropian është i aftë dhe i gatshëm për pranim. Por më parë duhet të marrë përgjigje pyetja, nëse shtetet kandidate janë vërtet të gatshme dhe që t’i kenë zbatuar me të vërtetë reformat. Kemi nevojë për përparime në gjërat themelore, në sundimin e së drejtës, në lirinë e medieve, në demokracinë e fortë, në të drejtat për opozitën, në tolerancën fetare. Këto janë vlerat kyçe. Megjithë disa hapa pas, unë jam optimist që shtetet e Ballkanit Perëndimor do të zhvillohen në këtë drejtim.

*David McAllister është deputet në Parlamentin Evropian. Politikani i CDU-së kryeson atje Komisionin e Punëve të Jashtme dhe konsiderohet ekspert i Ballkanit Perëndimor.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera